Kodheli, Yee: Do arrijmë objektivat, pavarësisht situatës së dobët financiare
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, priti në një takim të veçantë zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA, z. Hoyt Yee, i cili ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA në Tiranë, Alexander Arvizu.Ministrja Kodheli vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes SHBA dhe Shqipërisë. Ajo theksoi se, qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes janë të angazhuara për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar klimën e biznesit. Gjithashtu ministrja Kodheli foli për mundësinë e shtrirjes së bashkëpunimit të mëtejshëm midis dy vendeve tona dhe Forcave të Armatosura, si dhe kërkoi mbështetjen e SHBA për integrimin e vendit në BE. “Shqipëria dhe shqiptarët janë përkrahës të përhershëm të SHBA”, ka nënvizuar më tej ajo.Znj. Kodheli u ndal edhe tek situata e vështirë ekonomike në dikasterin e Mbrojtjes. “Ne jemi në vështirësi të mëdha financiare. Dy përqindëshi nuk mund të arrihet. Kjo nuk do të thotë që nuk do të realizojmë objektivat. Ne jemi të vendosur të rrisim efiçencën dhe të luftojmë korrupsionin pa kompromis”, është shprehur ministrja Kodheli.Ministrja e Mbrojtjes e siguroi zyrtarin e lartë amerikan se në vijim të bashkëpunimit në fushën e trajnimit dhe rritjes së kapaciteteve të FA, ne do të forcojmë kriteret dhe rregullat e përzgjedhjes për personelin që do të niset në trajnim, përfshirë dhe kandidatët që do të ndjekin programin e përgatitjes së oficerëve të rinj, në bashkëpunim me Gardën e New Jersey.Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Yee, garantoi ministren Kodheli për mbështetjen e padiskutueshme të SHBA ndaj Shqipërisë, duke u shprehur se “Ne do ju mbështesim në proceset integruese të Shqipërisë në BE dhe për këtë kemi folur me partnerët tanë europianë për çeljen e negociatave në dhjetor për marrjen e statusit të vendit kandidat”.Më tej, ai kërkoi një angazhim më të madh të burimeve financiare për arritjen e standardeve dhe kërkesave të NATO. Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, theksoi ai, pavarësisht nga situata e rëndë financiare, duhet të shënojë një rritje. Çështje tjetër që zyrtari i lartë amerikan trajtoi ishte dhe lufta kundër korrupsionit si sfidë kryesore për vendin.Në fund të takimit z. Yee dhe ambasadori amerikan në vendin tonë, z. Aleksandër Arvizu, shprehen edhe një herë tjetër vullnetin e SHBA për të mbështetur Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit.