Dëbimi i PSD nga selia, MB verifikim përmbaruesit privat
Ministria e Brendshme ka risqaruar edhe njehërë konfliktin mes policive për godinën e PSD dhe arrestimin e tre punonjësve të shërbimit të Ruajtjes dhe Sigurisë Publike "AULONA POL-1". MB thekson se ndërhyrja e shërbimeve të policisë së shtetit, ka qënë e bazuar në ligj dhe ajo është realizuar vetëm pas konfrontimit të palëve, me synim shuarjen e konfliktit dhe sqarimin e rrethanave.Personat e ndaluar sipas MB, kanë konsumuar elementë të veprës penale të "Kundërshtimit të punonjësit të policisë se rendit publik" dhe "Mosbindje ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik".“Gjatë konfliktit të ditës së djeshme, shtetasi Baftjar Avdulla Nela, me preçendentë të mëparshëm penalë (goditje me mjete të forta, armëmbajtje pa leje etj), është shoqëruar në ambjentet e Komisariatit të Policisë Nr.3 Tiranë, pasi ka hyrë me dhunë dhe nxjerrë jashtë një punonjës të shërbimit të ruajtjes dhe sigurisë fizike "A- 2000" e cila kishte marrëveshje dypalëshe me PSD për ruajtjen e këtij objekti, në rrugën "Fortuzi". Ndaj shtetasit Baftjar Nelaj, vazhdojnë verifikimet për sqarimin e rolit të tij, gjatë incidentit të ditës së djeshme, si dhe legjitimitetin ose jo të veprimeve përgjatë ushtrimit të detyrës duke tejkaluar kompetencat funksionale si përmbarues Gjyqësor Privat. Nga ana e përmbaruesit gjyqësor Baftjar Nelaj nuk është depozituar asnjë kërkesë për mbështetje në kryerjen e ekzekutimit të vendimit, bazuar në Akt - Marrëveshjen përmes Policisë së Shtetit dhe Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësor Privat” thuhet në njoftimin e MB.Ministria e Brendshme garanton se strukturat e Policisë së Shtetit, do të vazhdojnë të udhëhiqen nga Ligji, paanshmëria, objektiviteti, me qëllim parandalimin në kohë të shkeljeve të ligjshmësi dhe vënien përpara përgjegjësi ligjore të autorëve.