Statusi, Bregu: Marrja në dhjetor, garanci për të frenuar arbitraritetin e qeverisë
Kundërshtitë mes mazhorancës dhe opozitës, të cilat qartazi i shfaqën edhe në takimin ndërparlamentar dyditor Shqipëri-BE nuk do jenë pengesë për marrjen e statusit në dhjetor. Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, shprehet se kjo periudhë tremujore do jetë një sfidë e qeverisjes së re nëse do të arrijë të përbushë rekomandimet e KE. Bregu e vlerëson emergjencë marrjen e statusit kandidat dhe për faktin që sipas saj vendi dhe qeverisja do të kenë një monitorim më të fortë ndërkombëtar.“Europarlamentarët erdhen me një bindje të tyre dhe një realitet të krijuar tanimë pas raport-progresit të KE. Ndërkohë janë ballafaquar në diskutimet me një set të kundërshtive tona, në ato që raporti i konsideron progres. Kjo nuk bien ndesh me marrjen e statusit pasi reformat tashmë janë të miratuara nga qeverisja jonë. Kjo mazhorancë ka një ndjesi shpërfillje ndaj opozitës, ligjeve dhe institucioneve të vendit. Këto iu bënë të qarta përfaqësuesve të PE. Absolutisht që një vend anëtar i BE nuk e mirëpret faktin që brenda një dite të shkrihet një strukturë e tërë e policisë së shtetit. Me arsyen e risktrukturimit të institucioneve shumë punonjës të administratës nuk do dinë sa do shkojë numri i shkarkimeve. Të gjithë janë në dijeni të këtyre fakteve, kemi Drejtor të përgjithshëm të policisë një numërues votash të PS, Drejtues burgjesh një person të arrestuar nga vetë ata. Po ashtu edhe dorëzimi i doganave në duart e një kompanie të huaj, fakt ky që do sjellë probleme. Këto janë çështje madhore ,ne do bëjmë opozitë të bazuar mbi fakte. Ne nuk do të mbyllim gojënpër faktin se kemi një proçes mjaft të rëndësishëm në fund të këtij viti. Me marrjen e statusit do të ketë vëzhgim më të madh edhe nga ndërkombëtarët, çfarë do ja vështirësojë punën kësaj qeverie. Opozita është institucion, nuk është grup njerëzish për të pirë kafe dhe bërë pazare piolitike me mazhorancën. Sa herë të ketë ligje dhe reforma kyçe për integrimin ne do mbështesim, por kjo sdo të thotë se do heshtim përballë veprimeve arbitrare që zhbëjnë shtetin. Sfida e mazhorancës është të vazhdojë me konsolidimin e reformave. Kjo periudhë tremujore është një provë për qeverinë e re. Nëse duam që statusi të konfirmohet në dhjetor duhet të jenë rigoroz në përmbushjen e detyrimeve, përkundër do të jetë e pamundur të bindin jo vetëm vendet skeptike, por edhe vendet e tjera anëtare të BE” tha ajo.Përkundrejt kundërshtive, Bregu tha se firmosja e rezolutës së përbashkët, ku theksohet mbështetja e rekomandimit të Komisonit Europian për t'i dhënë Shqipërisë statusin dhe për t'i adresuar Keshillit Europian thirrjen e përbashket për vote pro për Shqipërinë në dhjetor, ishte një dëshmi e qartë e frymës prointegrimit të opozites.“Ne kemi deklaruar se proçesi i integrimit është një proçes madhor dhe kërkon të vihen para së gjithash interesat kombëtare para atyre të ngushta partiake. Opozita e PD nuk ka asnjë të ngjarë dhe sdo jetë bllokuese dhe penguese. Ky kompromis është shprehje e këtij vullneti politik pavarësisht se kishte amandamente që nuk u gjet konsensus. Kjo rezolutë është e nevojshme se është një dokument i përbashkët, i paraprin rezolutës së raporterit për Shqipërinë në PE. Ishte e rëndësishme edhe për këtë arsye” u shpreh Bregu.Në përfundim të intervistës Bregu deklaroi se opozita, përkundër numrave në parlament, është e gatshme ti bëjë ballë me argumente çdo lloj tentative shkatërruese të mazhorancës.“Sot jemi përballë dy fakteve, opozita për shkak të një pazari dhe shopingu politik është më e paktë në numra nga çfarë realisht duhej të ishte. Por nga ana tjetër kjo opozitë është një opozitë e unifikuar dhe cilësore, e gatshme të ti bëjë ballë me argumente çdo lloj tentative shkatërruese. Do të ishte e pamundur për secilin nga ne të mendonte se cfarë modeli do të sillte qeverisja Rama, por askush nuk do të mendonte një dëshirë kaq të shfrenuar të kësaj qeverie për të shkatërruar çdo element të shtetit” deklaroi ish-Ministrja e Integrimit.