Lirimi i selisë së PSD, përplasje mes policisë së shtetit dhe asaj private
Zyra e Përmbarimit dhe përfaqësues të policisë private kanë bllokuar sot zyrat e Partisë Socialdemokrate që ndodhen prapa ministrisë së Drejtësisë në rrugën “Fortuzi”.Përmbarimi ka ndërmarrë një aksion për lirimin e godinës duke ekzekutuar vendimin e Gjykatës për kthimin e godinës ish-pronarit.
Ndërkohë në vendngjarje kanë shkuar dhe efektivët e policisë së shtetit të cilët kanë kërkuar largimin e përmbaruesve dhe policisë private nga godina. Por këta të fundit kanë kundërshtuar me argumentin se po zbatojnë vendimin e gjykatës.
Mësohet se në vendngjarje janë shënuar përplasje mes policisë së shtetit dhe asaj private duke bërë që efektivët e shtetit të shoqërojnë disa prej tyre.
Kreu i PSD-së Skënder Gjinushi e ka cilësuar aksionin për lirimin e godinës si veprime banditeske të qeverisë së mëparshme.
" Këto janë veprime banditeske të qeverisë që ka rënë, pasi është rezultat i veprimeve arbitrare që është bërë nga drejtori i Entit të Banesave. Do të bëjmë një kallëzim penal për këtë veprim arbitrar. Personi që pretendon nuk është ish-pronari dhe ka 5 vjet në gjyq dhe i ka humbur të gjitha gjyqet. Godinën e selisë së PSD-së kërkojnë ta marrin me dokumenta të falsifikuara. Disa banda ish-qeveritare kanë akoma kurajon dhe nuk ju dridhet qerpiku dhe vijnë bëjnë karshillëk dhe kërkojnë ta marrin godinën me dokumenta false. Të gjitha vendimet e gjykatave janë në favor të Partisë Socialdemokrate" është shprehur Gjinushi.Ndërkohë Ministria e Brendshme përmes një deklarate të shkurtër ka theksuar se policët privatë janë shoqëruar pasi kanë kundërshtuar me forcë Policinë e Shtetit dhe më pas janë konfrontuar me policët e rendit.“Askush nuk do të lejohet të dalë mbi ligjin dhe mbi Policinë e Shtetit” thuhet në deklaratë.



