Drejtuesit e rinj të policisë, PD: Militantë partiakë dhe me preçedent penalë
Partia Demokratike ka vijuar edhe sot me akuzat sërish qeverinë për emërime politike në policinë e shtetit.Deputeti demokrat Arben Ristani ka theksuar se shkelja e ligjit dhe kontrolli partiak mbi Policinë e Shtetit, janë rrezik i shtuar për demokracinë dhe me pasoja të rënda për jetën e qytetarëve."Partiakët socialistë të emëruar në drejtimin e policisë së shtetit në kundërshtim me kriteret ligjore, janë ogur i keq për të ardhmen e rendit dhe sigurisë në vend, siç është bërë e qartë edhe këto ditë ku krimi po merr jetë njerëzish në mënyrë të pandalshme. Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, nuk ka shkollimin përkatës për detyrën që ka marrë, nuk ka gradën dhe përvojën që kërkon ligji dhe për më tepër është militant partiak. I ka shërbyer partisë socialiste si numërues i parë i saj në zgjedhjet e fundit elektorale, në Qarkun Tiranë. Dy zëvendësdrejtorët e Përgjithshëm të Policisë, Sokol Bizhga dhe Altin Qato janë emëruar në kundërshtimin me ligjin sepse nuk kanë gradën që kërkon ligji për pozicionin e punës, për më tepër njëri nga nën drejtorët është nën efektin e masës disiplinore të marrë ndaj tij. Drejtori i SHKB, Arben Skendo, është përsëri një militant partiak. Ai është një nga kontribuesit financiar të fushatës së fundit të Partisë Socialiste dhe renditet në listën zyrtare të donatorëve. Drejtori i Personelit i Policisë së Shtetit, Xhevahir Karaj, militant i partisë socialiste. Ai ka qenë kandidat për deputet i Partisë Socialiste.Të 12 drejtorët e policisë në qarqe, janë emëruar në kundërshtim me ligjin sepse asnjëri prej tyre nuk ka gradën që kërkon ligji për pozicionin e punës Drejtori i Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani, është arrestuar në 20 prill të vitit 2003 për trafik të qenieve njerëzore, teksa kishte detyrën e shefit të Komisariatit të Rinasit" tha Ristani.