Tahiri në komisionin e sigurisë: S`përballojmë dot asnjë emergjence civile
Deputeti i PD-së Astrit Patozi e akuzoi ministrin Tahiri se kërkon të jetë në qendër të vëmendjes dhe po e shndërron policinë e shtetit në një trupë teatrore ambulante.“Vini me një bilanc dramatik për 45 ditë. Nëse keni pasur qëllim për tu vënë në qendër të vëmendjes ju ia keni arritur: me ndryshimet drastike të cilat janë arbitrare dhe të paligjshme. Paligjshmëria nis me Drejtorin e policisë së Shtetit, Artan Didi i cili nuk përmbush kriteret e ligjit. Çfarë ju bën ju që të viheni mbi ligjin? Ju nuk keni pasur qëllim të mirë të emëroni dhe të shkarkoni në një ditë” shtoi Patozi.Ministri i Brëndshëm, Saimir Tahiri, mbrojti edhe ndryshimet në policinë e shtetit. Përballë deputetëve të opozitës Tahiri ka sqaruar se perse emërimi i Artan Didit dhe i funksionarëve të tjerë të lartë të policisë është i ligjshëm.
“Dua të jap një përgjigje për ligjshmërinë e emërimeve në Policinë e Shtetit. Drejtori i Përgjithshëm e ka gradën e policisë, të paktën dyfishin e 3 viteve që kërkohet. Sa i takon shkollimit të drejtorit të përgjithshëm, zoti.Artan Didi jo vetëm ka mbaruar shkollim përkatës, por ka qenë dhe profesor në Akademinë e Policisë. Sai takon shqetësimit të tretë për 16 vjet shërbim në polici, zoti Didi ka 16 vjet punë në polici. Është plagosur dy herë dhe ka marrë medalje për heroizëm. Ndërkohë sa i takon shqetësimit të fundit për zotin. Didi që ka marrë pjesë në politikë, sipas meje ka bërë detyrën si qytetar dhe me emërimin në polici ai është i angazhuar për të prmbushur detyrën e tij jashtë çdo ndikimi politik. Shqetësimit për burimet njerëzore në policinë e shtetit është real dhe i shëndoshë. Kemi më pak punonjës policie se çdo vend tjetër në Europë, mirëpres çdo debat të shëndoshë lidhur me këtë çështje. Sikundër edhe problemi i arsimit të punonjësve, është poshtë mestatares së edukimit të shoqërisë. Por në kohëra policia e shtetit ka pësuar tërmet” tha ai.
Ministri Tahiri u ndal edhe aksionet e policisë ndaj paligjshmërisë së lojrave të fatit, ku shprehu vendosmërinë për ta çuar këtë biznes drejt mbylljes së plotë. Ndërkaq ai ka mohuar akuzat për ndëshkim kolektiv të strukturave të krimit ekonomik, duke deklaruar se rezultatet e shqyrtimit të dosjeve të punonjësve flasin ndryshe dhe të 21 efektivët kanë rezultuar në shkelje të hapur të detyrës.
“Sa i takon shqetësimit për krimin ekonomik dua të bëj me dije se nuk ka asnjë ndëshkim kolektiv. Ajo që ka ndodhur për mua është në kufi të skandalit. Dijeni për lojërat e fatit ka pasur zoti.Nishani sot President, zoti Burgaj dhe zoti Noka. Ne vlerësuam që para se të nisnim aksionin kundër paligjshmërisë së lojërave të fatit duhet të bënim dhe ndryshimet strukturore. Kjo nuk mund të zhvillohej kurrë në ato nivele pa mbështetje. Janë 400 raste të proçeduara në polici, 90% janë bërë gjatë aksionit “Fund Marrëzizë”. Do vazhdoj të propozoj që të mbyllet terësisht si biznes në Shqipëri. Pas shqyrtimeve për 21 punonjës të strukturës të luftës kundër krimit u dhanë masa disiplinore për këta 21 punonjës të drejtorisë së krimit ekonomik” përfundoi Tahiri.
Ndërkaq përfaqësuesit e opozitës kanë akuzuar Ministrin se po ndërton një polici politike, duke përmendur dy raste, atë emërimit të drejtorit të policisë dhe atij të SHKB-së.Debate ka patur edhe mbi emergjencat civile ku Ministri lëshoi alarmin se buxheti për to është vetëm 570 dollarë.Ndërsa opozita sqaroi se emergjencat funksionojnë me alokime fondesh nga qeveria.
“Çështja e emergjencave civile. Shteti ka një mori strukturash. Ne nuk mund të japim mesazhin për qytetarët që kemi kamionë pa shofera, kemi kaq fasule apo oriz. Kjo është për të trembur qytetarët shqiptarë dhe për të treguar nivelin zero. Për emergjencat përveç MB, ju kujtoj që jemi anëtar të NATO-s, ku ushtria ka detyrën e emergjencave civile. Kemi kamionë dhe fadroma me shoferë që paguhen nga shteti dhe janë në dispozicion të emergjencave. Shqiptarë mos u trembni për tre kamionë. E treta ka një mori mundësish të organizimit të forcave civile. Qeveria ka fondet rezervë për situata të tilla. Këndvështrimi juaj zoti. Ministër është i njëanshëm. Mjafton një akt normativ dhe blen edhe karburantin dhe të gjitha siç kemi bërë dhe ne në të kaluarën kur s’kemi pasur”tha Ardian Turku.