Topi: Duhet rotacion politik, pushteti i përjetshëm është model komunist
Fryma e Re Demokratike hapi sot degën e saj në qytetin e Shijakut, me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve dhe të krerëve më të lartë të kësaj partie.Në fjalën e hapjes kryetari i degës së FRD-së për Shijakun, Astrit Hoxha theksoi se për qytetarët e Shijakut, të njohur për kontributin e tyre në proceset demokratike, sot është një ditë e veçantë, sepse ashtu si më 1990, ne jemi për të mbrojtur të njëjtat vlera dhe aspirata të cilat u morën nëpër këmbë nga një klasë politike e papërgjegjshme dhe produkt i të kaluarës. Ai akuzoi partitë e vjetra politike se e kanë marrë peng Shijakun për interesat e tyre të ngushta elektorale dhe se ndërkohë, sa herë kanë ardhur në pushtet e kanë braktisur këtë qytet dhe problemet e shumta të banorëve të tij.Në fjalën e tij përshëndetëse Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së zoti Gazmend Oketa theksoi se FRD vjen si nevojë për qytetarët shqiptarë, si alternative e te rinjve që duan të marrin në dorë fatet e vendit. Ai kritikoi qeverinë për politika të gabuara dhe mungesë rezultatesh të prekshme për qytetarët në arsim, shëndetësi e fushat sociale, duke shtuar se politikanët e vjetër janë mësuar tju vijnë vetëm në kohë fushatash, vetëm për votën dhe jo për problemet tuaja. Oketa përsëriti besimin se FRD do të bëjë diferencën e madhe dhe qarku i Durrësit do tu japë një leksion të mirë partive të vjetra në zgjedhjet e vitit 2013.Kryetari i FRD, Bamir Topi mbajti fjalën kryesore në takimin me qytetarët e Shijakut. Zoti.Topi shprehu vlerësimin e lartë për pritjen dhe rolin e çmuar historik në proceset demokratike që kanë dhënë banorët e Shijakut. Në mënyrë simbolike, ai iu referua gjendjes së mjerueshme të ndërtesës së Pallatit të Kulturës ku po zhvillohej takimi, për të theksuar se politika e vjetër, sidomos qeveria aktuale i ka braktisur qytetarët e këtij qyteti, të cilët i kanë dhënë aq shumë politikës dhe vendit, duke mos marrë asgjë prej saj.Topi bëri direkt përgjegjës kryeministrin aktual për gjendjen e vështirë dhe zhgënjimin masiv në Shijak, si një politikan mosmirënjohës ndaj atyre që e mbështetën, refuzues të respektit edhe formal për qytetarët dhe për mosmbajtjen e premtimeve të shumta të bëra në fushata elektorale.Më tej, duke folur për aktualitetin politik, Topi tha se Shqipëria është demokratike, por niveli demokratik është i pamjaftueshëm, larg të qenit demokraci funksionale. Ai kritikoi sidomos përpjekjet e qeverisë për nënshtrimin e institucioneve të pavarura kushtetuese, duke theksuar se atë që nuk arritën ta bëjnë në pesë vjet, arritën ta fitojnë në pesë ditë, si një sinjal negativ për standardet e demokracisë në Shqipëri.Kryetari i FRD bëri përgjegjës politikanët drejtues të partive të vjetra, të cilët kanë marrë peng fatet e vendit, tregojnë shumë më tepër mungesë respekti për qytetarët shqiptarë sesa ndaj faktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë, janë fajtorë për ndryshimet kushtetuese, degradimin dhe konfliktin politik në vend si dhe për sistemin e akuzave reciproke, të cilat i adresojnë njeri tjetrit.Duke apeluar për rotacion politik më 2013 zoti Topi tha se në asnjë vend perëndimor një politikan nuk mund të rrijë me çdo kusht dhe pafundësisht në pushtet. Përjetësia është tipar i liderëve komunistë, jo demokratikë. Historia ka treguar se nuk ka pushtet të përjetshëm dhe se kam bindjen e plotë se më 2013 vota e lirë qytetare do ti japë fund këtij modeli të kalbur despotizmi.Në lidhje me FRD, zoti. Topi sqaroi se ajo mbetet në komunikim intensiv dhe të përditshëm me qytetarët për angazhimin e tyre në vendimmarrje politike, për përfaqësimin e tyre sa më dinjitoz dhe për një kontratë besimi mbi një politikë që zgjidh kriza dhe probleme, bazohet në vlera morale dhe modele perëndimore.