Panariti,Westerwelle: Gjermania ju mbështet, plotësoni rekomandimet e KE
Ministri i Punëve të Jashtme,Edmond Panariti, mori pjesë në darkën e shtruar nga Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Guido Westerwelle, për nder të kryetarëve të delegacioneve pjesëmarrëse në konferencën e Ministrave të Jashtëm të Europës Juglindore.Në takimin që pati me homologun gjerman, Ministri Panariti e informoi në lidhje me zhvillimet e brendshme politike në Shqipëri në kuadrin e plotësimit të rekomandimeve të Komisionit Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ai tha se forcat politike shqiptare kanë arritur konsensuse të rëndësishme për të plotësuar reformat e kërkuara nga Komisioni Europian dhe shprehu besimin se dhe tre ligjet e mbetura nga paketa e 12 rekomandimeve do të miratohen nga Parlamenti shqiptar në një kohë të shpejtë.Ministri Panariti i kërkoi Ministrit Westerwelle mbështetjen e Gjermanisë për marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian. Marrja e këtij statusi do të ishte jo vetëm një realizim i një aspirate të fuqishme të popullit shqiptar në këtë vit të rëndësishëm të historisë së tij, që shënon 100 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, por do të ishte një kontribut i rëndësishëm për konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Ai theksoi se Shqipëria dhe vendet e rajonit kanë nevojë për një perspektivë të qartë europiane pasi në të kundërt në këto vende do të gjenin terren tendencat ekstremiste dhe nacionaliste, që do të rrezikonin marrëdhëniet miqësore mes vendeve.Nga ana e tij Ministri Westerwelle vleresoi progresin e arritur deri tani në Shqipëri dhe klimën politike që u krijua për miratimin e reformave dhe ligjeve të nevojshme për plotësimin e rekomandimeve të komisionit europian. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e miratimit të ligjeve të mbetura dhe marrjen e hapave konkrete për zbatimin e kësaj pakete rekomadimesh, e cila nuk duhet bërë pjesë e interesave të ngushta politike.Westerwelle konfirmoi se vendi i tij është mbështetësi më i fuqishëm i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Eshtë vetë Shqipëria, dhe vendet e tjera të Ballkanit Perendimor ato që do të përcaktojnë perspektivën e tyre drejt integrimit europian, integrim i cili mbështetet nga Gjermania dhe vendet e tjera anëtare të BE. Ai theksoi se Europa nuk mund të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Gjatë takimit Ministri Westerwelle vlerësoi, gjithashtu, politikën konstruktive rajonale të Shqipërisë e cila ka kontribuar dukshëm në stabilitetin e rajonit.Duke e uruar Ministrin Panariti për 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ministri Westerwelle konfirmoi se do të zhvillojë së afërmi një vizitë zyrtare në Shqipëri për të diskutuar në lidhje me zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe ceshtjet e integrimit europian të Shqipërisë.