KLSH audit në ISSH: Performancë e munguar, duhet reformë e plotë ligjore
KLSH kërkon ndërmarrjen e një reforme të plotë ligjore për të gjithë sistemin e sigurimeve shoqërore. Kërkesa vjen pas auditimit që ky institucion ka bërë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore me objekt: “Mbi zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë ekonomiko-financiare, për periudhën 1/1/2012 deri më 31/12/2012”. Në këtë auditim, krahas përpjekjeve për të rritur efektivitetin e skemës së sigurimeve u konstatuan një sërë mosrealizimesh të cilat kanë sjell deficencë të skemës aktuale.Kështu është evidentuar se ka një mosrealizim në mbledhjen e të ardhurave të programuara nga shmangia e pagesës së kontributeve nga të punësuarit në subjektet privatë, si pasojë e një niveli mjaft të ulët të numrit të kontribuesve, kontribute që mblidhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Plani vjetor i të ardhurave është realizuar në vetëm 95.55 %, duke krijuar një defiçit prej 2,166 milionë leke ose rreth 16 milionë euro. Informaliteti financiar që ka ardhur nga mosrealizimi i numrit të programuar të kontribuesve të sektorit privat dhe nga diferenca midis pagës që derdhen kontributet, me pagën faktike mujore që marrin të punësuarit, ka shkaktuar krijimin e një defiçiti të konsiderueshëm në skemën e sigurimeve shoqërore. Gjendja e detyrimeve të kontributeve të papaguara nga subjektet privatë në fund të vitin 2012 është 8,054 milionë lekë dhe vetëm në këtë vit janë shtuar këto detyrime me 320 milionë lekë.Këto detyrime zënë rreth 8.9 % të totalit të të ardhurave të planifikuara të vitit 2012 dhe vetëm detyrimet e krijuar në këtë vit zënë, rreth 34 % të deficitit të krijuar gjatë po këtij viti. Konkretisht, numri fizik i personave që nuk kanë paguar kontribute si persona të vetëpunësuar në bujqësi për vitin 2012 është rreth 111,709 persona. Nga mospagesa e këtyre kontributeve llogaritet një evazion në fushën e sigurimeve në shumën 2,319 milionë lekë ose mbi 17 milionë euro. Mungesa e tyre sjell vështirësi ne përcaktimin e masës së pensionit të pleqërisë, si dhe vështirëson evidentimin e borxhit të subjekteve për kontributet e papaguara ose të paguara pjesërisht.Ndërkohë ajo që nënvizon KLSH në raportin e tij është fakti se rritja e pensioneve gjatë vitit 2012 nuk ka ardhur në raport të drejtë me rritjen e inflacionit të këtij viti, pasi shpenzimet për pensione u shtuan për 4,476 milionë lekë pra kanë reflektuar një rritje 5.4 %, ndërsa inflacioni i deklaruar nga INSTAT ka qënë në nivelet 3 deri në 4 %. Kjo rritje nuk është shoqëruar me rritjen e të ardhurave nga kontributet e drejtpërdrejta. Për pasojë, efektet e rritjes mbi nivelin e inflacionit janë mbuluar me subvencione buxhetore të cilat janë rritur nga viti në vit, çka ka ndikuar në thellimin e defiçitit të skemës së pensioneve.Në mbledhjen e kontributeve është konstatuar problem shqetësues edhe mosdorëzimi i listëpagesave nga subjektet e biznesit të vogël e të madh, sidomos të listëpagesave tremujore të biznesit të vogël. Në fund të vitit 2012, rezulton se mungojnë gjithsej 268,930 listëpagesa. Mungesa e tyre sjell vështirësi ne përcaktimin e masës së pensionit të pleqërisë, si dhe vështirëson evidentimin e borxhit të subjekteve për kontributet e papaguara ose të paguara pjesërisht.Ndërkohë në lidhje me shpenzimet për përfitime KLSH ka konstatuar raste të shumta të informalitetit në dhënien e pensioneve të invaliditetit, me pasojë shtimin e padrejtë të shpenzimeve të kësaj kategorie, duke thelluar kështu defiçitin e skemës së pensioneve. Në disa raste është konstatuar se sigurimi i barrëlindjeve bëhet pas lindjes, me qëllimin e përfitimit të raportit mjekësor. Ky veprim ka shtuar në mënyre të padrejtë shpenzimet për ketë kategori e për pasojë kjo shtesë ka ndikuar në thellimin e defiçitit të skemës së pensioneve.Nisur nga problematikat e konstatuara, të cilat kanë ndikuar në krijimin e një defiçiti mjaft të lartë në degën e pensioneve, por dhe nga tendenca në rritje e tij, KLSH ka kërkuar ndërmarrjen e një reforme të plotë ligjore për të gjithë sistemin e sigurimeve shoqërore kryesisht në lidhje me:1. Nivelin i personave të siguruar; pasi shkalla e mbulimit të popullsisë me elementët e sigurimit shoqëror është shumë e ulët, me një pjesëmarrje në kontribute të vetëm 65 % të forcave aktuale të punës.2. Formulën aktuale të pensionit; gjykohet lehtësisht se formula aktuale nuk ofron nxitje të mjaftueshme për pjesëmarrje, për arsyen se pensioni maksimal është i kufizuar sa dy herë masa e pensionit minimal, ndërsa paga më e lartë është pesë herë më e madhe se paga më e ulët.3. Evazionin fiskal; pasi evazioni është shumë i lartë si pasoje e informalitetit dhe e deklarimit të të ardhurat më të vogla se sa janë në realitet, çka sjell pakësimin e bazës kontributive si dhe nuk nxit apo motivon punonjësit me të ardhura mesatare apo të larta për të deklaruar e paguar kontribute sipas të ardhurave faktike që marrin.4. Me mënyrën dhe rregullat e indeksimit të pensioneve, pasi shkalla e zëvendësimit të pagës me pensionin në momentin kur punonjësit dalin në pension pleqërie është e ulët për punonjësit me paga mesatare dhe paga të larta. Kjo, ngaqë rritja e pensioneve dhe e pagave nga rritja e inflacionit në vlerë absolute nuk vjen në raport të drejtë, për pasojë përfitimet për pensione rriten më pak dhe kontributet nga pagat rriten më shumë.5. Trajtimet e favorshme për banorët ruralë, pasi konstatohen, trajtim mjaft i favorshëm si në sistemin e kontributeve ashtu edhe të pensioneve (përfitimeve) për banorët ruralë, ku buxheti i shtetit financon rreth 55 % e kontributeve për këta banorë.6. Skemat shtetërore të veçanta dhe suplementare, pasi konstatohen, mbulime me subvencione buxhetore edhe për skemat shtetërore të veçanta dhe suplementare, shpenzimet për përfitimet e të cilave vazhdojnë të rriten nga viti në vit.7. Sistemin e pensioneve, pasi skema e pensioneve është me defiçit, i cili ka kaluar mbi 1% të PBB, edhe pse 55 % e kontributeve rurale financohen nga buxheti i shtetit.