Vasili: Shtyrja e ligjit jo për të spastruar administratën
Kryetari i grupit parlament të LSI-së Petrit Vasili ka hedhur poshtë akuzat e opozitës se shtyrja e ligjit për nëpunësin civil ka të bëjë me spastrimin në administratë.Në një intervistë në “Ora Live”, Vasili u shpreh se akti normativ i miratuar nga qeveria ka të bëjë me ndryshimet e nevojshme që duhen përpara se ligji të hyjë në fuqi.“Ligji është i barabartë dhe nuk nënkupton spastrime në administratë” tha Vasili.I pyetur në lidhje me deklaratat e kryeministrit Rama në lidhje me bulevardin e Tiranës, Vasili u shpeh se dialogu mes bashkisë dhe qeverisë është mëse i nevojshëm për një vepër kaq të rëndësishme për kryeqytetin."Kryeministri Rama nënvizoi dy elementë. E para për nevojën për të parë projektin dhe e dyta u rikthyer në promovimin e një dialogu mes qeverisë, bashkisë dhe këshillit kombëtar të rregullimit të territorit. Ne kemi mundësi që të japim provën që të ulim në tavolinë dhe të bisedojmë. Sepse bulevardi nuk është pronë e asnjërit por është e qytetit dhe i shërben atij. Ky bulvard që ne e kemi i qëndroi të gjitha kohërave dhe kjo tregon se ajo është ndërtuar shumë mirë. Sa më shumë ta rishohim një vepër që është e rëndësishme për qytetin aq më mirë është. Një Tiranë e shtrembër është një gjë negative për qytetarët” tha Vasili.Por a janë të nevojshme zgjedhjet në Këshillin Bashkiak pas dështimeve të njëpasnjëshme për tu mbledhur? Për Petrit Vasilin kjo nuk është e nevojshme pasi tashmë Këshilli Bashkiak e ka zgjedhur kryetarin.“Nuk shoh asnjë arsyeje për zgjedhje. Kjo është një histori pa sencë. Për mua duhet të vihet sa më parë në lëvizje Këshilli Bashkiak. Kjo lojë duhet të marrë fund. Këshilli Bashkiak duhet të merret me përgjegjësitë e qytetit dhe shumë punë e presin. Një mazhorancë e re ka atributin të zgjedhë kreun e këshillit bashkiak dhe e bëri. Këtu s`ka asgjë për konsensus pasi ligji e thotë qartë këtë” theksoi Vasili.