Anulimi i konçensioneve, Halimi: PD do ndjekë hapat ligjorë
Partia Demokratike ka artikuluar akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama lidhur me anulimin e konçensioneve. Në një dalje për mediat, deputeti demokrat Eduard Halimi, tha se Kryeministri përmes këtyre veprimeve po shemb ekzistencën e shtetit ligjor, duke i shkaktuar një dëm të pakonsiderueshëm biznesit dhe ekonomisë së vendit.“Edi Rama çdo ditë po anulon koncesionet e biznesit duke kërcënuar drejtpërdrejt, Kushtetutën e vendit, themelet e shtetit ligjor, ekonominë e vendit, biznesin dhe gjithë qytetarët shqiptarë. Bisnesi shqiptar, nëpërmjet koncesioneve të miratuara nga qeveria, ka fituar një të drejtë ligjore dhe kushtetuese që përbën garantimin e sigurisë juridike në një vend demokratik dhe shtet ligjor. Këto të drejta të fituara, nuk mund të injorohen, të mohohen apo shkelen, sepse në të kundërt, dhunohet drejpërdrejt parimi kushtetues i sigurisë juridike. Vullneti politik apo dëshirat personale të një individi të veshur me pushtet publik, hakmarrja primitive, nuk mund të përbëjë bazë për ushtrimin e një veprimtarie publike dhe te shembin ekzistencen e shtetit ligjor” tha ai.Duke e konsideruar një veprim hakmarrës të shefit të mazhorancës, PD paralajmëroi ndjekjen e të gjitha hapave ligjorë për këtë çështje.“Anulimi i koncesioneve që po bëhet nga verbëria e hakmarrjes primitive të Edi Ramës, është tërësisht, kryekëput një veprim i kryer në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit, dhe të paktën 5 vendime të Gjykatës Kushtetuese nënshtrimi ndaj urdhërit antikushtetues të shefit, nuk përjashton askënd nga përgjegjësia penale. Verbëria dhe arbitrariteti që po i shkakton dëm dhe po i merr paratë taksapaguesve shqiptarë, do të dëmshpërblehet. Dëmi që po u shkaktohet, duhet të garantohet, dhe pasuritë e Ramës dhe gjithë atyre që marrin pjesë në këto veprime antikushtuese, nuk do të mjaftonin për tu siguruar qytetarëve shqiptare dëmshpërblimin e kësaj që po i bën Edi Rama dhe të gjithë atë që verbërisht po i firmosin urdhërat e tij primitive. Kushtetuta, siguria juridike dhe paratë e qytetarëve, po kërcënohen. Ora e drejtësisë, Kushtetutës dhe ligjit, do të bjerë mbi këdo”përfundoi Halimi.