Ish-anëtari i KQZ, Ilirjan Muho, drejtor i Hipotekave
Ish-anëtari i KQZ-së Ilirjan Muho është emëruar sot në postin e drejtorit të Hipotekave. Ai do të zëvendësojë në këtë detyrë Arben Qirjakon. Ilirjan Muho u zëvendësua në KQZ pas vendimit të LSI-së për të prishur koalicionin me PD-në dhe bashkimin me Partinë Socialiste.
Ndërkohë, ish-anëtarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Albana Shtylla është emëruar në postin e sekretares së përgjithshme e Kuvendit. Zonja Shtylla u prezantuar sot në detyrën e sekretares së Parlamentit nga kreu i Kuvendit Ilir Meta.
Gjatë prezantimit, Meta evidentoi eksperiencën 21 vjeçare të Znj. Shtylla në shërbim të administratës publike, duke veçuar fillimin e karrierës së saj në Kuvend, rolin e saj si Drejtoreshë në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Drejtore e Kabinetit të Avokatit të Popullit, Drejtoreshë Juridike në Ministrinë e Punës si dhe detyrën e saj si Anëtare e KQZ së fundmi. Kryetari i Kuvendit shprehu besimin në kapacitetet e saj të plota për të forcuar profesionalizmin, integritetin dhe efikasitetin e punës së personelit të Kuvendit.
Meta vuri theksin në zbatueshmërisë e ligjit dhe parashikimeve të Rregullores së Kuvendit dhe u shpreh se cilësia e materialeve dhe e shërbimit do të jetë kriteri bazë për vlerësimin e personelit. Gjithashtu Kryetari i Kuvendit kërkoi nga stafi i dikasterit që “etika dhe korrektesa në shërbimin ndaj deputetëve, por edhe në komunikim e brendshëm, duhet udhëheqë gjithë punën dhe veprimtarinë e të gjithë administratës së Kuvendit”.