Konflikti për dëmshpërblimet, banorët e "St.Trenit" debatojnë me Bashën

Kryebashkiaku Lulzim Basha, ashtu siç u ka premtuar edhe me herët banorëve, shtëpitë e të cilëve preken nga ndërtimi i bulevardit të ri, ka bërë të ditur sërisht sot se është i gatshëm të plotësojë të gjithë detyrimet e marra në takimin e zhvilluar një muaj më parë me përfaqësinë e banorëve, në shtëpinë e Skënder Kosturit.Zoti Basha u bëri të ditur banorëve të cilët i kishin mashtruar se në mbledhjen e Këshillit do të diskutohej për çmimin e tokës, se atë as nuk e miraton dhe as nuk e ndryshon Bashkia apo këshilltarët.“Siç është rënë dakord me banorët, Bashkia ka nisur të hedhë hapa, për finalizimin e saj”- deklaroi kryebashkiaku Basha.“Bashkia nuk e ndryshon dot ligjin, por Bashkia ka parë që çmimet janë të paarsyeshme. Bashkia ka parë se dikush që e ka pasur një shtëpi, me ato lekë nuk blen dot një shtëpi tjetër. Atëherë, Bashkia i ka thënë përfaqësuesve tuaj në takimin e zhvilluar para një muaji që jemi dakord të hyjmë në një marrëdhënie, ku me ndërmjetësimin e Bashkisë, për çdo banesë që duhet të prishet në kuadër të bulevardit, Bashkia të sigurojë një banesë për ata banorë dhe me banorët është rënë në parim dakord. Ne kemi hedhur hapat në këtë drejtim, se nuk është e lehtë as për ne. Ne nuk e bëjmë dot me lekë publike. Ne kemi kërkuar nga 70-80 familje që preken, cilat familje bien dakord, sa metra katrorë shtëpi lënë. Me përfaqësinë tuaj, ne kemi rënë dakord dhe jemi në pritje të informacionit nga ana juaj, emër e mbiemër, kryefamiljar të atyre që janë dakord me këtë propozim. Unë pres sërish, që brenda ditës së nesërme në orën 13.00, një përfaqësi prej 12 kryefamiljarësh, të sjellë vendimin final të banorëve, nëse doni të ecim në këtë rrugë, apo jo” - u shpreh Basha.