"Rikthimi" i Andis Harasanit, raportet e reja dhe çfarë presim nga "Rama 1"
Intervista e plotë vijon si më poshtë:
Z. Harasani që pasi hoqët dorë nga mandati juaj dhe udhëtuat drejt SHBA-ve, ky është rikthimi juaj i parë në Shqipëri dhe gjeni një shumicë të drejtuar nga e majta. Çdo të thotë kjo për ju, a e keni uruar Z.Rama për detyrën e tij si Kryeministër?
Është kënaqësi që flas për TV tuaj të nderuar. Sigurisht që e kam uruar z.Rama dhe gjithë kolegët e mi dhe miqtë e mi qoftë në PS apo në LSI. E pritshme? E pritshme ishte rezultati, por të papritshme nga diferenca e numrave. Jam dakord me atë që ka thënë Rama, që kjo fitore e thellë rrit pergjegjesinë për qeverisjen ndryshe.
A ju vjen keq që nuk jeni pjese e kësaj qeverisje?
Sigurisht që nuk më vjen keq se ishte zgjedhje e imja. Ndoshta do të doja të kisha qenë ende në parlament, por kjo ishte një zgjedhje e imja. Unë jam pjesë e PS edhe pse nuk jam në pozicione drejtuese, jam në kontakt të vazhdueshëm me shumë nga Ministrat e kabinetit Rama, me shumë kolege të grupit parlamentar, shkëmbejmë mendime , opinione .E vetmja gjë që dua të theksoj është që mua më pelqeu e gjithë kjo mënyrë si u kompozua kabineti qeveritar. Jam i sigurtë që gjithkush do të krijojë një model në zhvillimin e qeverisjes.
Me këtë ju hidhni poshtë kritikat për Ministrat e rinj dhe emërimet e drejtuesve të tjerë të rinj?
Më vjen mirë që ka akuza, se tregon që opozita është e gjallë dhe duhet të ketë akuza. Opozita është një pjesë nga më të rëndësishmet të sistemit demokratik. Por mirëkuptoj që të gjitha akuzat, sepse më kujtohet vetja në 2003 kur kam qenë 28 vjeç dhe Kryeministri i asaj kohe dhe miku im Z.Nano më ngarkoi drejtimin e KESH. Isha pa përvojë, mu dha mundësia që të tregoja rezultate dhe mendoj që ia dola mbanë. Besoj që kritikat janë me vend, por janë të nxituara se duhet pritur rezultati i punës dhe pastaj të kritikohen. Të kritikosh njerëzit se u mungon eksperienca, mendoj se nuk është diçka e zgjuar, se nuk punojnë ku do ta njohin eksperiencën?
Si e gjykoni vendimin e Ramës për të ndarë mandatin e deputetit nga ai i Ministrit, z.Blushi e kritikoi?
Unë kam kohë që nuk i ndjek kritikat e z. Blushi. Ministrat do të jenë të fokusuar 100% në qeverisjen e dikastereve. Mendoj se është një gjë e mirë se në këtë gjendje ku ndodhet Shqipëria, me këtë program ambicioz që ka LSI-PS është normale që ka ngarkesë të madhe për Ministrat. Unë kam qenë vetë deputet dhe e di ngarkesën që ka puna e deputetit. Është më mirë që të lirohen nga kjo përgjegjësi. Çdo spekulim tjetër mbi brishtësinë e figurës së Ministrit nuk qëndron, sepse mënyra si funskionon është në gjithë botën, nëqoftë se Kryeministri nuk është i kënaqur me Ministrin e largon dhe kaq.
Z.Harasani, kishit deklaruar rezervat tuaja para se të realizohej marrëveshja PS-LSI?A e gjykoni të drejtë vendimin e Ramës për koalicion me Metën? A mendoni se ky bashkim solli fitoren e thellë të 23 qershorit?
Është e lehtë të flasim postfactum. Fakti është aty, rezultati është kokëfortë. Unë isha kundër në atë kohë, se kur mu shtrua pyetja, z.Meta ishte pjesë e qeverisjes Berisha, por fakti tregoi se ishte hapi i duhur dhe hapi solli këtë rezultat që kemi sot, që PS dhë LSI kanë 84 mandate dhe kjo është provë e saktë se ky ishte bashkimi i duhur.
Z.Harasani, z.Rama lëshoi alarmin se arka e shtetit është bosh. A ka rrugë që do rezultonin me rimëkëmbjen e ekonomisë?
Kryeministri ka kohë që e ka shpallur alarmin për gjendjen në të cilën ndodhet shteti shqiptar. Mendoj se është zgjedhja e duhur, zgjedhja e një auditori të huaj. A ka mënyra për të dalë nga kjo gjendje? Sigurisht që ka. Unë kam folur shpesh edhe me Ministrin e Financave dhe me Ministra të tjerë dhe me z.Rama. Mendoj që shumë shpejt do kete zgjidhje konkrete për te dalë nga kjo krizë. Nuk mund të harrojmë diçka, që nuk kemi pse shpikim gje. Ka shumë vende të tjera të cilat kanë qenë në situatën e Shqipërisë dhe nga të gjitha këto vende që kanë pasur borxh kaq të madh, i vetmi vend që e pësoi dhe falimentoi ishte Greqia, të gjitha vendet e tjera ia dolën mbanë.Unë jam i bindur se ky ekip qeverisës së bashku me grupin parlamentar, që është një grup i shkëlqyer, do arrijnë t’ia dalin mbanë dhe ka mënyra të ndryshme, rinegociohet borxhi, mund të rishikohet kufiri i borxhit. Jetojmë në një botë globale. Mos harrojmë që sot që flasim, Z. Rama theksoi gjendjen kritike të financave të shtetit shqiptar dhe pa rrugën si mund të zgjidhjet, nga ana tjeter, në një tjetër ekran ishte presidenti Barack Obama që fliste për humbje të shtetit amerikan për shkak të falimentimit, pra nuk duhet ti vëmë theksin, ose të shikojmë situata konkrete me ngjyra më të errëta sesa janë.
Z.Harasani, sot që po flasim, opozita ka një kryetar të ri, që është z.Basha, por para se të arrijme te ky moment, si e keni percjellë largimin nga kreu i PD, të Z.Berisha dhe më tej, një vlerësim për lidershipin e ri të PD.
Nuk më pëlqen të diskutoj për kampin tjetër. Për pyetjen personale që mu drejtua, si e kam përjetuar largimin e z.Berisha. I kam dërguar sms personal z.Berisha dhe e kam uruar për hapin që mori. Unë kam patur kontakte pune, siç kanë qenë raporti pozitë-opozitë ose opozite- pozitë me z.Berisha, ose në një farë mënyrë, një njeri i cili ka qenë 23 vjet në krye të politikës shqiptare dhe ti shikohen anët pozitive dhe anët negative. Sigurisht që zgjedhjet në PD më kanë lënë shumë shije të keqe. Nuk mendoj që kishte nevojë që një focë si PD të kalonte ato situata që kaloi. Gjithsesi ishte zgjedhja e tyre. Jam shumë i bindur që z.Olldashi do kishte bërë një punë më të mire si kryetar opozite sesa z.Basha, gjithsesi këto janë çëshjte të PD e nuk mund të komentoj për ta.
Z.Harasani, qeveria Rama shfuqizoi një sërë vendimesh të qeverisë Berisha, të marra pas 23 qershorit, si e shihni një vendimarrje të tillë?
Mendoj që është hapi i duhur dhe mendoj që z.Berisha me ekperiencën qeveritare që ka nuk duhet t’i kishte marrë ato hapa. Ka një praktikë, unë mbaj mend shumë mirë që në 2005 momentin që PS humbi zgjedhjet, pranoi përgjegjësitë e humbjes dhe për 4 muaj, qeveria Nano nuk mori asnjë vendim. Mendoj se të njëjtën rrugë duhet të kishte ndjekur edhe Berisha.
Z.Harasani, kur do i riktheheni jetës aktive politike?
Kurrë mos thuaj kurrë, është një shprehje, por për momentin jo, jam shumë mirë në atë që po bëj.