Irani në krye të axhendës së Netanyahut në SHBA

Kryeministri izraelit fillon një vizitë në Shtetet e Bashkuara, me shpresën për të balancuar aktivitetin diplomatik dhe mediatik të Presidentit të ri iranian që duket se ka zbutur marrëdhëniet e Iranit me Perëndimin.Irani do të jetë tema qendrore e bisedimeve të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu kur të vizitojë Shtëpinë e Bardhë dhe të mbajë një fjalim përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të martën. Vizita e tij pason atë që shumë komentatorë e kanë cilësuar si “ofensivë sharmi” në Shtetet e Bashkuara nga Presidenti i ri iranian Hassan Rouhani, i cili është cilësuar si udhëheqës i moderuar nga disa zëra në Perëndim.Netanyahu është shumë i shqetësuar nga ulja e tensioneve mes Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar, duke thënë se Teherani po i shfrytëzon këto bisedime për të zbutur sanksionet dhe për të blerë kohë për prodhimin e një arme bërthamore."Unë do të them të vërtetën,” tha zoti Netanyahu në aeroportin e Tel Avivit para se të nisej në Shtetet e Bashkuara. Ai shtoi se do të paraqesë “faktet përballë fjalëve të ëmbla dhe ofensivës me buzëqeshje”.Ndërkohë presidenti Iranian Rouhani tha para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se programi bërthamor i Iranit ka synime paqësore dhe se armët atomike bien ndesh me bindjet fetare dhe etike të vendit të tij.Por Izraeli e konsideron programin bërthamor iranian si një kërcënim ndaj ekzistencës së tij dhe i trembet mundësisë që bota po gënjehet për synimet e vërteta të Teheranit.Një incident tensionues për marrëdhëniet mes dy vendeve ishte njoftimi i Izraelit se ka arrestuar një agjent iranian. Shërbimi izraelit i sigurimit Shin Bet njoftoi se personi ishte dërguar nga Roja Revolucionare e Iranit për të hapur biznes në Izrael si fasadë për aktivitet spiunazhi.Personi i akuzuar për spiunazh u përshkruar si shtetas belg me origjinë iraniane, i cili ishte kapur duke marrë në fotografi objekte izraelite dhe ambasadën amerikane në Tel Aviv. Sipas agjencisë Shin Bet, ai kishte pranuar se ishte agjent, duke shtuar se shërbimet iraniane të zbulimit i kishin premtuar 1 milion dollarë.