Bisedime historike SHBA-Iran, Obama telefonatë me Rouhanin
Presidenti Barak Obama thotë se ka biseduar me telefon me Presidentin iranian Hassan Rouhani. Ky është kontakti i parë i drejtpërdrejtë mes një udhëheqësi amerikan dhe atij iranian që nga 1979. Zoti Obama tha në komentet për shtyp në Shtëpinë e Bardhë dje se ai dhe zoti Rouhani kishin zhvilluar bisedime konstruktive.Presidenti Obama e bëri të ditur zhvillimin e bisedës me zotin Rouhani në fillim të një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë:"Theksova në bisedën me Presidentin Rouhani atë që thashë në Nju Jork. Megjithëse do të ketë pengesa të vështira përpara dhe suksesi nuk është i garantuar, unë besoj se mund të arrijmë një zgjidhje gjithëpërfshirëse”.Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se Shtëpia e Bardhë ishte informuar dje në mëngjes se zoti Rouhani donte të bisedonte me Presidentin Obama para se të largohej nga Nju Jorku, ku ndodhet për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.Biseda telefonike që zgjati afro 15 minuta ishte “e përzemërt” dhe u zhvillua me ndihmën e përkthyesve. Zoti Obama e hapi bisedën duke e përgëzuar zotin Rouhani për fitoren në zgjedhjet e Iranit.Presidenti Obama tha se ai dhe udhëheqësi iranian udhëzuan ekipet e tyre “të vazhdojnë të punojnë me energji” për bashkëpunim në kuadër të grupit P5+1 për arritjen e një marrëveshjeje.Megjithëse historikisht dy palët kanë ushqyer mosbesim për njëra-tjetrën, zoti Obama tha se hapat e marrë deri tani mund të ofrojnë shpresën për zgjidhjen e mosmarrëveshjeje lidhur me programin bërthamor të Iranit."Jemi të vetëdijshëm për sfidat përpara. Vetë fakti që ky është komunikimi i parë mes një Presidenti amerikan dhe një udhëheqësi iranian që nga viti 1979, nënvizon mosbesimin e thellë mes dy vendeve, por gjithashtu sinjalizon edhe mundësinë për të kapërcyer këtë histori të vështirë”.Irani ka mohuar vazhdimisht se ka një program që synon prodhimin e armëve bërthamore. Si rezultat Irani është bërë objekt sanksionesh të rënda ekonomike, si presion për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare.Zoti Obama tha se ekziston “një bazë për zgjidhje,” por testi për këtë bazë është një angazhim kuptimplotë i Iranit, në mënyrë transparente dhe të verifikueshme që do të sillte lehtësimin e sanksioneve ekonomike:"Rruga drejt një marrëveshjeje kuptimplotë do të jetë e vështirë dhe në këtë moment të dyja palët kanë shqetësime të konsiderueshme që duhet të kapërcehen. Por unë besoj se ne kemi përgjegjësinë për të ndjekur rrugën diplomatike dhe se kemi një mundësi unike për të arritur përparim me udhëheqjen e re në Teheran. I shpreha gjithashtu Presidentit Rouhani respektin tim të thellë për popullin iranian”.Zyrtari i administratës tha se Presidenti Obama do të angazhohej në kontakte të tjera të drejtpërdrejta me zotin Rouhani, nëse kjo do të ndihmonte në zgjidhjen e problemit bërthamor.