Këshilli i Sigurimit miraton rezolutën për Sirinë
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka votuar njëzëri për të miratuar një rezolutë që i kërkon Sirisë të eliminojë armët kimike. Rezoluta vendos detyrime me fuqi ligjore mbi këtë vend.Vota mbrëmë nga Këshilli i Sigurimit mbyll një proces prej disa javësh me aktivitet intensiv diplomatik nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara. Rezoluta bazohet mbi një marrëveshje mes dy vendeve të arritur në Gjenevë në fillim të muajit.Duke folur pas votimit, sekretari i përgjithshëm Ban Ki Moon e cilësoi si “historik” votimin dhe i bëri thirrje Damaskut zyrtar që ta implementojë atë pa vonesa. Gjithashtu, ai foli për mundësinë e mbajtjes nga mesi i nëntorit të një konference tjetër paqeje në Gjenevë.Ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry u shpreh se, “OKB tregoi se diplomacia është aq e fuqishme saqë në mënyrë paqësore mund të çaktivizojë armët më të fuqishme”.Edhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e përshëndeti votimin, duke thënë se Moska është gati të marrë pjesë në të gjitha operacionet që do të zhvillohen në Siri.Por nga ana tjetër ai theksoi se rezoluta nuk bie vetëm mbi shpatullat e Damaskut, duke kërkuar që opozita siriane të bashkëpunojë.Projekt/rezolutat nuk është nën ombrellen e Kapitullit të 7 të statutit OKB-së që parashikon përdorimin e forcës. Por dokumenti parashikon, në rast mosbindjeje, të shkohet në hartimin e një rezolute të re.Dokumenti në 22 paragrafë dënon në termat më të fortë çdo lloj përdorimi të armëve kimike në Siri dhe në veçanti sulmin e 21 gushtit. “Përdorimi i armëve kimike përbën një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, thotë teksti.Sipas dokumentit, Siria nuk mund të përdorë, prodhojë, blejë apo të transferojë asnjë lloj tipi arme kimike dhe kjo vlen për të gjitha palët. Gjithashtu, ai pohon që shtetet anëtare të OKB-së nuk duhet të japin asnjë mbështetje për ata që përpiqen të prodhojnë apo transportojnë armë të tilla.Në fillim të këtij muaji, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia i kërkuan Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike “të kryejë eleminimin e materialit kimik në Siri, në mesin e 2014-s”.Këshilli ekzekutiv i organizatës pritet të votojë projekt/marrëveshjen që kërkon nisjen e inspektimit të arsenalit kimik të martën. Ajo do t’i bashkëngjitet rezolutës së Këshillit të Sigurimit.Nëse Damasku nuk garanton hyrjen e inspektorëve të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, atëherë brenda 24 orëve do të zhvillojë një mbledhje urgjente për të vendosur për hapat e mëtejshëm.Marrëveshja pasoi sulmin me gaz sarin nga i cili vdiqën mbi 1 mijë vetë pranë Damaskut. Marrëveshja shmangu një goditje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara kundër regjimit të Bashar al-Assadit, të cilin Uashingtoni e fajëson për sulmin.