Betejat në Kongres dhe axhenda legjislative

Ndërkohë që nuk ka një rrugë të qartë për të shmangur mbylljen e qeverisë amerikane më 1 tetor, udhëheqësit e Kongresit po përgatiten për betejën e ardhshme: ngritjen e nivelit të tavanit për borxhin publik në mes të tetorit. Beteja partiake në Kongres mund të sjellë probleme ekonomike dhe, duke monopolizuar kohën dhe energjitë e ligjvënësve, po nxjerr jashtë vëmendjes tema të tjera.Ligjvënësi demokrat Jared Polis thotë se Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët duhet të punojë për të reformuar politikat e emigracionit dhe jo të merret me zënka lidhur me programin e Presidentit Obama për kujdesin shëndetësor.Irritim shprehin edhe republikanët. Senatori Chuck Grassley thotë se ka një numër temash që kërkojnë vëmendje nga republikanët.“Reforma e politikave fiskale. Një amendament kushtetues për të balancuar buxhetin. Një ligj i ri për ekonomitë bujqësore” tha ai.Por ndërkohë që Kongresi është përfshirë në beteja partiake për të mos lejuar mbylljen e qeverisë, një tjetër betejë afron. Dje, kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner tha se republikanët kanë caktuar kushte për ngritjen e tavanit të borxhit.“Do të propozojmë një plan që kushtëzon rritjen e tavanit të borxhit me shkurtime në shpenzime dhe reforma për rritjen ekonomike”.Nëse nuk rritet tavani i borxhit mund të çojë në mospagimin e kësteve të borxhit dhe një rënie në statusin e Amerikës në tregun financiar.Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney ritheksoi se Presidenti Obama nuk pranon të negociojë mbi rritjen e tavanit të borxhit.Situata me pak fjalë mund të përshkruhet në këtë mënyrë: Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë janë të përqëndruara në dy beteja fiskale që do të vazhdojnë edhe gjatë muajit të ardhshëm. Edhe nëse shmanget mbyllja e qeverisë, qeverisë federale do t’i jepet autoriteti për shpenzimet vetëm për 2-3 muaj, duke përgatitur kushtet për një tjetër betejë partiake para përfundimit të vitit.Një ndër problemet është reforma e emigracionit. Nëse synohet arritja e suksesit në reformën e imigracionit, Kongresi duhet të veprojë këtë vit mbi këtë temë. Praktika ka treguar se ligjvënësit ngurojnë të votojnë për tema të nxehta politike në prag të zgjedhjeve për Kongres, të cilat do të zhvillohen në fund të vitit 2014.Për momentin gjithë vëmendja është përqëndruar tek Senati i cili pritet të miratojë një projekt-ligj të përkohëshëm për shpenzimet federale, duke përfshirë fonde për programin e kujdesit shëndetësor. Më pas dokumenti i kthehet Dhomës së Përfaqësuesve që më parë votoi për të bllokuar fondet për programin shëndetësor. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner ka shprehur besimin se qeveria nuk do të mbyllet me 1 tetor, por nuk pranoi të jepte parashikime se si do të realizohet kjo.