Me kërkesë të Kenias, Interpol fletarrest për “e veja e bardhë”

E ndërsa për të 4 ditë hetimet për sulmin terrorist në qendrën tregëtare Westgate në Kenia vazhdojnë,  shumë  ngjarje mbeten ende të paqarta jo vetëm për hetuesit kenianë por edhe për ata britanikë e  amerikanë.Në vazhdën e hetimeve është përfshirë dhe INTERPOL, i cili ka nxjerrë një mandat arresti për shtetasen britanike Samanta Ljuth/Uejt, me kërkesë të autoriteteve keniane.E cilësuar nga mediat si vejusha e Bardhë  Samanta është e lidhur me grupin islamik somalez al-Shabab, i cili mori përsipër sulmin në qendrën tregtare në Nairobi, në fundjavë. Sulmi dhe mbajtja nën kontroll e ndërtesës prej 4 ditësh solli vdekjen e 67 personave, ndërsa 63 të tjerë rezultojnë të humbur.Përmes një deklarate, INTERPOL-i tha se 29-vjeçarja kërkohet nga Kenia, e akuzuar për mbajtjen e eksplozivëve dhe komploteve kriminale që datojnë prej dhjetorit të vitit 2011. Njoftimi i INTERPOL-it, i cilësuar si "alarm i kuq", u kërkon vendeve anëtare të policisë ndërkombëtare të arrestojnë të dyshuaren, deri në kryerjen e procedurave të ekstradimit.Ndërkohë  hetuesit po kontrollojnë imtësisht të gjithë skenën e tragjedisë" për kampione ADN-je, shenja gishtërinjsh apo të dhëna balistike.Ministri i Brendshëm kenian konfirmoi vdekjen e 5 militantëve, ndërsa thotë se ka shumë mundësi që në dritë të dalin dhe trupa të tjerë. Për 67 viktimat e sulmit, shumica e të cilëve civilë, ceremonitë mortore vazhdojnë.