“Autism Speaks”, Liri Berisha në konferencën në NY: Autizmi, kriza në rritje e shëndetit publik
Në kuadër të mbajtjes së punimeve të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, organizata ndërkombëtare “Autism Speaks” në New York, nën kujdesin e Zj. Ban Soon-Taek, bashkëshorte e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki – Moon, ka mbledhur takimin e saj të gjashtë vjetor. Ky takim mikpriti një audiencë me personalitete nga vende të ndryshme të botës, për të promovuar rritjen e ndërgjegjësimit mbi Çrregullimin e Spektrit Autik , si një çështje me rëndësi globale për shëndetin publik.
Me ftesë të bashkë-themeluesve të kësaj organizate ndërkombëtare Bob dhe Suzanne Wright, mori pjesë për të gjashtin vit me rradhë edhe Presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë Dr. Liri Berisha. Modeli i Shqipërisë në çuarjen përpara të çështjeve në mbrojtje të Autizmit, nga ana e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë, janë vlerësuar në takimet e këtij lloji më hëret, si shëmbulli më i mirë në ngritjen dhe konsolidimin e modelit të punës për trajtimin e Autizmit.
Konferenca e gjashtë vjetore e Organizatës Ndërkombëtare “Autism Speaks”, vjen pas takimit të nivelit të lartë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që u mbajt në Gjenevë në datat 16-18 Shtator, ku për herë të parë mbi 30 shtete u organizuan në një Forum të Lartë Global, me qëllim forcimin e përpjekjeve në rang botëror, për mobilizimin e shumë aktorëve në rritjen e ndërgjegjësimit, shpërndarjes së shërbimeve dhe kërkimeve në të gjithë botën për Autizmin.
Pjesmarrësit e këtij takimi, kryesisht zonja të para të vendeve të ndryshme, aktorë të fuqishëm në mbrojtjen e çështjes së Autizmit në botë si dhe profesionistë të shëndetit, vunë në dukje se përpjekjet duhen fuqizuar dhe koordinuar në mënyrë të atillë, që Autizmi të mos jetë vetëm një prioritet kombëtar për çdo vend, por edhe rajonal gjithashtu.Që nga viti i parë i organizimit të këtij takimi ndërkombëtar gjashtë vjet më parë, prevalenca e prekjes nga Çrregullimi I Spektrit Autik ka shënuar rritje. Nga 1 në 150 fëmijë që ishte ajo në 2007, sot shpeshtësia shënohet 1 në 88 fëmijë. Kjo rritje alarmante ka vënë në lëvizje shtete, strategji dhe vetë Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e cila nëpërmjet miratimit të Rezolutës për çështjen e Autizmit, pritet ti japë në vitet në vazhdim një mbështetje të lartë familjeve dhe individëve të prekur nga ky çrregullim neuro-genetik.