Greqi, Trojka fillon nga puna në ministrinë e financave

Trojka e huadhënësve, FMN-ja, Bashkimi Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane do të kalojnë sot pragun e ministrisë së financave në Greqi për t’u takuar me ministrin, Janis Sturnaras, në kuadër të kontrollit të ri të ekonomisë greke.Sipas të dhënave të deritanishme, negociatat midis qeverisë greke dhe Trojkës do të zhvillohen në tre etapa, pasi fillimisht pritet të shqyrtohet ecuria e përmbushjes së katër kërkesave për disbursimin e këstit të tetorit me vlerë 1 miliard euro. Më tej, pritet të përllogaritet niveli i recesionit për këtë vit (një nivel më i ulët influencon pozitivisht deficitin dhe borxhin), por edhe të finalizohet krijimi i suficitit primar.Sipas ministrit të financave, Janis Sturnaras, do të ketë suficit primar, qoftë dhe të vogël.Në vazhdim, përfaqësuesit e kreditorëve pritet të rikthehen pas 15 tetorit me qëllim që të diskutojnë riaktualizimin e memorandumit, ndërsa në setapën e tretë, që konsiderohet si më kritikja, do të bëhet negociimi për vakuumin fiskal dhe qëndrueshmërinë e borxhit publik grek.Greqia është duke u ndeshur me vitin e gjashtë të recesionit, dhe kësti i fundit është një nga injeksionet e  fundit të mëdha nga skema  prej 240 miliardë eurosh që skadon në fund të vitit 2014.