Thaçi në SHBA, takohet me Ban Ki-moon
Kryeministri Hashim Thaçi në vazhdën e takimeve që po zhvillon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është pritur nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Ban Ki-moon.Pas këtij takimi, kreu i ekzekutivit kosovar ka bërë të ditur se me Sekretarin e OKB-së kanë biseduar për proceset politike që po kalon Kosova.“Në kuadër të pjesëmarrjes së Kosovës në angazhimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, sot kemi zhvilluar takim me Ban Ki-moonin, i cili tregoj edhe njëherë mbështetjen e fuqishme për Kosovën duke na inkurajuar për progresin e arritur në vend dhe në të njëjtën kohë synimi, qëllimi dhe vizioni është që në të ardhmen të jemi pjesë e OKB-së” , tha Thaçi.Gjithashtu, gjatë këtij takimi kryeministri Thaçi ka informuar edhe për hapat që po ndërmerren, në veçanti tani për zgjedhjet e 3 nëntorit, ku do të marrin për herë të parë pjesë serbët e veriut.