Mes Lasgushit dhe Kekos

Nga “sebepi” i tunelit të Elbasanit përfundova në Pogradec. Kur ra muzgu u ula karshi përmendores së Lasgush Poradecit…Ndërmend më erdhi një histori. Në vitin 1987 punoja në gazetën “Bashkimi”. Teodor Keko punonte në gazetën “Drita”. Të dy me shërbim në Pogradec. Secili për hesap të vet. Në mbrëmje, zumë një tavolinë në lulishten e Hotel-Turizmit të vjetër. Me një gotë birrë përpara, në gjysmerrësirë, shijonim melodinë e dallgëve të liqenit…Para nesh u shfaq një burrë i vjetër. Me një shkop në dorë. Nëpër këmbë i vërdallisej një kone…Kur u afrua te tavolina jonë, u dëgjua një zile…Plaku futi dorën në xhep. Nxori një sahat tavoline. Pa orën duke thënë: “Pusho, moj e flamosur?!””Ç’ësht’ mo kjo fantazmë,- pëshpëriti Dori,- duke zgurdulluar sytë…Pastaj thirri: O Zot! Na mbiu fati mbi tavolinë! Ky është Lasgushi?!…” I bëmë vend në tavolinë. Na pa vëngër. Nuk na njohu. Nuk na kishte dëgjuar…Lëshoi vetëm një psherëtimë: “Këta të Komitetit Ekzekutiv duhen vrarë me bukë në gojë!…Më sjellin vërdallë…Nuk ma marrin vajzën në punë…E kam mësuese dhe më duhet ta kem në Pogradec”…U ngrit duke mërmëritur…I zgjatëm dorën. Na mbeti kobure!Lasgushi u largua. Pa na dhënë dorën. Pa na përshëndetur…E përpiu errësira, nën melodinë e valëve të liqenit…”Si fantazmë erdhi, si fantazmë u largua, – tha Dori, duke hapur bllokun e shënimeve”…(Vite më vonë, më tregoi disa vargje të shkruara në atë natë.)-Të të tregoj një perlë,- më thotë Dori.- Ma ka treguar Ismail Kadare. Në vitin 1946 ministër i Arsimit ishte Sejfulla Malëshova. Edhe ky poet. Edhe ky i ditur e me shumë gjuhë si Lasgushi. Ministri i Arsimit, diku kishte bërë humor me poetin nga Pogradeci. Lasgushi e mori për tallje. Vjen në Tiranë. Kërkon Sejfullanë dhe fton…në duel! Si në mesjetë! Si kalorësit…Vetëm një poet i madhërishëm, që jeton me kokën mbi re, mund të bëjë proçka të tilla në socializëm?!Një ditë më vonë shkova në Komitetin Ekzekutiv. Do shkruaja për një shkollë. Përfitova nga rasti dhe pyeta për vajzën e Lasgushit…Më thanë si ishte në Tiranë. Lasgushi është në pikë të hallit. I varfër dhe i vetmuar. Kërkon ta bjerë vajzën të punojë në Pogradec. Por lëvizjen e mësuesve e bën Ministria e Arsimit…Teodori vazhdoi rrugën për në Korçë. Unë qëndrova edhe një ditë në Pogradec. Në darkë takova Vaso Samsurin. I tregova për takimin me Lasgush Poradecin. Kaq mjaftoi që Vaso të “shpërthejë”. Në fillim nisi të recitojë poezi. Unë hapa bllokun për të shënuar një varg, që më ka ndjekur gjithë jetën: “Dashuronte…dashuria…” I thashë të më tregonte për jetën e poetit. E vërteta është se në atë vit dija shumë pak. Poezitë e tij, u ribotuan të plota në vitin 1989.E bukura është se emri Lasgush Poradeci është pseudonim. Ai quhet Llazar Sotir Gusho. Ka qenë traditë në vitet ’30. Edhe Mitrush Kuteli është pseudonim i Dhimitër Paskos. Po kështu Migjeni, Lame Kodra (Sejfulla Malëshova), Lumo Skëndo, Chri-Chri… Lindi në vitin 1899. Kështu vazhdoi të tregonte Vaso Samsuri. Kur ishte 9 vjeç, babai e dërgoi djalin në Rumani. Zuri Lufta e Parë Botërore. Lasgushi u kthye në Pogradec. Nuk e mbaroi Liceun. Babi e nisi më vonë në Athinë. Pa fat. Atje poeti u sëmur. Qëndroi dy vjet në sanatoriumin “Sotiria”. Por babai ishte kokëfortë, si mushka. Në vitin 1921 e nisi përsëri në Rumani. Në verën e vitit 1924, kryeministri Fan Noli i dha një bursë. Shkoi në Austri. Qëndroi 10 vjet në Grac. Fiton titullin Doktor-Profesor. Perlat Lasgushi i shkroi para Luftës së Dytë Botërore. Dy libra: “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i Zëmrës”. Lasgushi është i madh si poet. Por akoma më i madh si përkthyes. Ai ka bërë të flasin shqip Gëte, Hajne, Bajron, Hygo, Pushkini, Lermontovi, Shelli, Bërns, Eminesku etj…Të të tregoj edhe një sekret?- më thotë Samsuri. – Poezitë më të bukura, Lasgushi i shkroi në rini…I frymëzuar nga dashuria për një vajzë të huaj…Ajo e ndjek si fantazmë edhe në pleqëri poetin plak…Dhe dashuria të bën si të marrë…Vitin e kaluar, Ismail Kadare publikoi dy letra që ia kishte dërguar Lasgushi. Në letrën e parë poeti shkruan se nga Pogradeci është larguar Ana Luka, mësuese e letërsisë. Vendi është bosh. I kërkon ndihmë Kadaresë. Të ndërhynte në Ministri të Arsimit. Të nisnin dy gisht letër, për të emëruar vajzën e Lasgushit si mësuese. Në letrën e dytë poeti shkruante se kishte qenë në Komitet. Puna zgjidhet edhe me telefon. “I dashuri Ismail! Të lutem! Ndërhy që ministria të marri në telefon Komitetin?!…”Burimi : mapo.al