Kodër Kamëz, pastrohen trotuaret nga tregtarët, vendosen në një ambient të posaçëm
Policia Bashkiake e Tiranës në bashkëpunim me njësinë bashkiake nr. 11 kanë zhvendosur shitësit ambulantë, të cilët prej vitesh tregtonin përgjatë rrugës së Kodër-Kamzës. Tregtarët janë vendosur në një treg të posaçëm, ndërsa Policia Bashkiake ka vijuar pastrimin e trotuareve dhe kthimin e tyre në shërbim të qytetarëve.“Kishte vite që kjo hapësirë publike ishte zënë nga tregtarët ambulantë dhe përfundimisht bashkë me punonjësit e Policisë Bashkiake që unë kam edhe atë pjesë të punonjësve të Policisë Bashkiake, që me urdhër dhe me vendim të Këshillit Bashkiak i kanë kaluar si kompetencë edhe minibashkisë, ne bëjmë të mundur lirimin e këtyre hapësirave duke i kthyer kështu në shërbim të qytetarëve që të lëvizin sa më lirshëm”-tha Topalli.Në fakt është për t’u përmendur edhe bashkëpunimi mjaft i mirë i kryetarit të minibashkisë me institucionin e Policisë Bashkiake, duke vepruar në çdo pjesë të territorit që minibashkia nr.11.“Puna e Policisë Bashkiake do të vijojë edhe në këtë drejtim në çdo ditë dhe në çdo moment kur të jetë e nevojshme, në mënyrë që edhe në ato raste kur puna e Policisë Bashkiake, ndoshta në disa ditë më vonë është tentuar nga disa tregtarë ambulant apo tek disa tregtarë të tjerë që nuk kanë qenë shumë të ndërgjegjshëm duke u kthyer përsëri duke zaptuar apo për të zënë hapësirat publike, por ne do të vazhdojmë punën tonë të përditshme me të gjitha minibashkitë, kështu siç është sot do të vazhdojë në të gjitha rrugicat e Tiranës, në të gjitha trotuaret edhe lirimi i hapësirave edhe nga këto mbeturina të vjetra që kishte vite, kështu do të vazhdojë edhe në të gjithë territorin e Tiranës”- u shpreh drejtori i Policisë Bashkiake Vullnet Topalli.Kryetari i njësisë bashkiake nr. 11 z. Haki Mustafa, ka theksuar se si rezultat i decentralizimit të kompetancave dhe kalimit në varësi të njësive bashkiake të policëve dhe inspektorëve, territori i kësaj njësie është pastruar nga tregtarët ambulantë dhe janë frenuar ndërtimet pa leje.“Sot po pastrojmë siç e shikoni mbeturinat e këtij tregu disa vjeçar dhe kam bindjen e plotë që tregtarë nuk do të ketë më në rrugë e rrugica në njësinë time bashkiake. Ky cep që shihni ju është përfundimi i plotë i të gjithë territorit. Po të kaloni në Laprakë dhe në të gjithë territorin sot nuk ka tregtarë ambulantë, kjo falë bashkëpunimit me Policinë Bashkiake. Njëkohësisht është rezultat i realizimit të një premtimi që z. Basha ka dhënë në fushatë për decentralizimin e kompetencave. Ne kemi 4 policë bashkiakë dhe 4 ndërtimor, sot janë në funksion të plotë, kur kemi probleme na ndihmon Bashkia e Tiranës me efektivë shtesë. Në këtë mënyrë ne kemi bërë të mundur lirimin e të gjithë territorit. Po ashtu mund t’ju them se edhe me Policinë Ndërtimore nuk ka asnjë lloj ndërtimi që fillon i ri pothuajse tash 20 ditë. Për mua si kryetar njësie është një rast i mirë për të treguar se vendimi i kryetarit të Bashkisë për decentralizimin e kompetencave ka qenë produktiv”,- u shpreh kryetari njësisë bashkiake Haki Mustafa.Nga 30 korriku me iniciativë të kryebashkiakut Basha, iu deleguan 11 njësive vendore të Tiranës pjesërisht funksionet e sigurimit, të rendit e qetësisë dhe mbarëvajtjes së punëve publike brenda territorit përkatës, funksionet e kontrollit dhe zbatimit të ligjshmërisë e të standardeve teknike në fushën e ndërtimit. Për të kryer këto funksione, njësive bashkiake iu deleguan 50 punonjës të Policisë Bashkiake dhe 50 inspektorë të Inspektoratit Ndërtimorë Urbanistik Vendor si dhe një fond financiar prej 32 milionë lekësh, për shpenzimet operative. Në këtë mënyrë çdo njësi vendore mund të kontrollojë territorin e tij si përsa i përket zënies së hapësirave publike ashtu edhe ndërtimeve pa leje.