MASH publikon listën e fituesve në Universitete për vitin 2013
Ministria e Arsimit publikon emrat e të gjithë maturantëve që kanë fituar të drejtën e studimit për në Universitet. Ndërkohë për të gjithë maturantët që nuk kanë mundësi të shohin listat e afishuara nëpër Fakultetet përkatëse, Ministria e Arsimit i ka publikuar në versionin online, ku mjafton një klikim në adresën:http://mash.gov.al/File/matura/2013/fituesit/lista-fitues-raundi-1.pdf, dhe lehtësisht mund të mësojnë nëse janë pjesë e listës së fituesve apo jo.Proçesi i pranimit dhe regjistrimit të kandidatëve në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë do të kryhet në sekretaritë e fakulteteve, i monitoruar nga AKP-ja. Regjistrimi do të bëhet në dy faza. Kandidati i shpallur fitues në listën e fazës së parë regjistrohet online në programin e studimit që ka fituar në portalin e Maturës Shtetërore, sipas procedurës që përcakton udhëzimi.“Regjistrimi online kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti deri në orën 00:00 të datës 23 shtator 2013. Kandidati fitues ka të drejtë të qëndrojë përfundimisht i regjistruar në programin e fituar në fazën e parë (listat paraprake) duke përzgjedhur opsionin ‘Konfirmoj regjistrimin përfundimtar në preferencën e fituar’”, thuhet në udhëzim.Kur kandidati nuk arrin të realizojë regjistrimin online, ai duhet të paraqitet pranë sekretarisë mësimore të fakultetit ku është shpallur fitues nga data 18 shtator 2013 deri më datë 23 shtator 2013, nga ora 08:00 deri në orën 18:00.Studentët që duan të mbeten në preferencën e fituar në fazën e parë nënshkruajnë një deklaratë në sekretarinë mësimore. Pas kësaj faze lista përfundimtare dërgohet sërish në AKP deri në datën 25 shtator. Lista përfundimtare e fituesve shpallet më 2 tetor, ndërsa nga datat 8- 13 tetor bëhet regjistrimi i të gjithë studentëve me dokumentacionin e plotësuar.