Seanca e së shtunës, Muhedini: PDIU votë kundër programit, për Ministrat selektive

Ndër të paktët deputetë në radhët e opozitës, i cili pati durimin të qëndrojë deri në fund të fjalës së kryeministrit të mandatuar Edi Rama teksa prezantoi programin e tij në Kuvend, Presidenti i nderit të PDIU-së Tahir Muhedini deklaroi se largimi i kolegëve të tij nga salla ishte spontan dhe jo i organizuar. Në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News, Muhedini tha se opozita e bashkuar mbetet e angazhuar për të qenë një opozitë konstruktive, aktive, kundër bojkotit.“Unë marr pjesë për herë të parë në parlament. Ne si grup u mblodhëm pa filluar parlamenti dhe vendosëm se do të merrnim pjesë në parlament. Largimi i deputetëve erdhi gjatë fjalimit të Kryeministrit Rama, personalisht jam kundër bojkotit, dua të jem ballë për ballë për t’i dhënë përgjigje për çdo çështje, jam aty për debat. Të jemi realist nuk kishte një vendim për të dalë, ishte spontan. Kryetari i PD, Basha nuk e ka qejf bojkotin, grupi jonë opozitar duhet të jetë grup cilësor, ata kanë numra më shumë, por kjo nuk na prish punë fare. Qeveria mund të ketë në program edhe çështjen tonë, ne do ta përshëndesim, do jemi realist, po ashtu edhe PD. Ne do jemi një opozitë cilësore” tha ai.Sikundër në deklaratat e mëparshme, Muhedini u distancua nga evazioni i votave në zgjedhjen e Ilir Metës si kryetar Kuvendi, duke deklaruar edhe njëherë se kanë votuar kundër. Votën kundër ai e deklaroi edhe në votëbesimin e qeverisë, me disa përjashtime për emra të veçantë Ministrash që sipas tij kanë dhënë kontributin në çështjen came.“Ne jemi 5 deputetë dhe para se të shkojmë në parlament bëmë mbledhjen në partinë tonë, do votonim kundër, po ashtu dhe për qeverinë jemi kundër, mund të kemi ndonjë personalitet në kabinetin Ministror që ka folur për çështjen çame dhe ne do ta mendojmë këtë punë.Kam pas përkrahjen dhe njoh kontributin e zotit. Haxhinasto psh. Kam dhe një detyrim molar për zëvendëskryeministrin Niko Peleshi, është njeri shumë i pregatitur, megjithatë është grupi që vendos. Rëndësi ka që ne të 5 deputetët biem të gjithë në një mendim”deklaroi Muhedini.Duke ju referuar programit të qeverisë së re, ai e vlerësoi si pozitive përfshirjen e çështjes çame, por i sugjeroi Kryeministrit Rama që teksa i referohet respektimit të traktatit të miqësisë me Greqinë, kjo nuk duhet të zbatohet në mënyrë të njëanshme siç ka ndodhur deri më sot.“Për herë të parë në një program qeveritar shkruhet për çështjen çame dhe pse shumë pak, kjo është pozitive. Por traktati ka vite që është bërë që nga ‘96 dhe i ka shërbyer komunitetit grek , jo komunitetit çam. Kryeministri duhet ta ketë parasysh që jo traktat në shërbim vetëm të shtetit grek, pra i njëanshëm, për këtë do kemi dhe mendimet tona” tha më tej ai.Rezultati ndër më pozitivët për këtë parti në zgjedhjet e fundit, me 5 deputetë në parlament u pa jo si pak problem në Greqinë fqinje. Por ndërsa po flitet dhe pse ende jo zyrtarisht për propozimin nga Kryeministri Rama të Vangjel Dules si nënkryetar parlamenti nuk përçon të njëjtin reaksion tek PDIU. Madje Muhedini thekson se problemi i një “armiqësie” mes dy forcave politike lindi që kur Dule u vu në krye të PBDNJ për shkak të sjelljes së tij antishqiptare.“Për herë të parë komuniteti çam shkon në parlanent me 5 deputetë. Kjo tregon se partia ka pasur rritje, hapja i bëri mirë partisë, ne tani jemi parti kombëtare, është parti e gjithë shqiptarëve që e ndjejnë të kontribujnë për çështjen kombëtare, në mënyrë të veçantë për zgjidhjen e çështjes çame. Ndihemi ë vlerësuar nga të gjithë elektorati që na ka votuar. Ne kemi pasur marrëdhënie të shkëlqyera me PBDNJ kur ka qenë Vasil Melo, erdhi Dule dhe ky bashkëpunim u prish. Bashkëpunimin e shikoja si pozitiv. Ai jo vetëm që nuk e vazhdoi këtë bashkëpunim, por na mohoi ne, ishte si i deleguar i qarqeve antishqiptare greke, nuk i përkiste asaj shoqërie progresiste greke, siç e thanë dhe vetë historianët grekë në mes të Greqisë. Dule do ishte mirë të ishte tamam si minoritarët grekë, që kam frikë se këtu në Tiranë kam marrë më shumë vota prej tyre sesa ai. Ai ka punuar që ne si myslimanë të kthehemi ortodoksë, ai përfitoi dhe nga kriza ekonomike e vendit tonë, nga shqiptarët që emigruan në Greqi për punë, kishte të drejtën e dhënies së pasaportave greke, të cilën e shfrytëzoi. Si nënkryetar i parlamentit ai për mua s’ka asnjë rëndësi, ndoshta edhe po piqet pak me kalimin e moshës, jeton në Shqipëri, ha bukë në Shqipëri dhe hyzmetin duhet t’ua bëjë shqiptarëve dhe komunitetit grek këtu. Në parlament vërtet flasim ashpër, por në fund ne jemi prapë miq, por ama populli që e sheh nga larg krijon tjetër impakt. S’duhet të jemi ne shkaktar për të përçarë njerëzit” u shpreh deputeti i PDIU.I pyetur nga drejtori i Informacionit Patrik Sadikaj sesi po shkon bashkëpunimi i PDIU me kreun e ri të PD, Muhedini u përgjigj:“Vlerësimet më të mëdha kam për Berishën, se i vuri shpatullat sistemit të diktatutrës. Për zotin. Basha mund të them se është njeriu i duhur në krye të PD. Nëse do ishte Basha në parlament në vend të Kryeministrit Rama nuk do të ishte shprehur me atë gjuhë për kundërshtarin. Është njëri atdhetar, e do vendin e tij. Mentaliteti që ka ai është gjëja më pozitive. Rama nuk e ka këtë pozitivitet. Edi Rama ka premtuar shumë, nëse nuk do ti mbajë ne për atë punë jemi aty, t’ia kujtojmë. Pavarësisht kësaj humbje të madhe, ne si parti kemi qenë në koalicion me PD, s’ka asnjë shqetësim për ne që jemi në opozitë. Jemi 5 mandate dhe do jemi zë i fuqishëm për çështjen kombëtare dhe zgjidhjen e çështjes çame, pa përjashtuar edhe çështje të tjera që kanë lidhje me vendin” përfundoi zoti Muhedini.