Thaçi “mision” në Tiranë, takon liderët para sezonit të ri politik

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, po qëndron sot për një vizitë zyrtare në Tiranë ndërsa mesditën e sotme ai është takuar me kryeministrin në ikje, Sali Berisha.Thaçi: Të falenderoj për Rrugën e KombitNë konferencën e përbashkët për shtyp, Berisha shprehu mirënjohjen për vizitën e kryeministrit Thaçi me rastin e përfundimit të mandatit të qeverisë.“Shpreha mirënjohjen e thellë për vizitën dhe kënaqësinë time që e prita dhe biseduam përsëri për problemet tona më të rëndësishme” tha Berisha.Sipas tij, marrëveshja e Brukselit është e një rëndësie shumë të madhe, që hap një kapitull të ri për paqen në rajon dhe për marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve.Kryeministri Thaçi i shprehu falenderimet e tij ndaj kryeministrit Berisha për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës, proçesit të saj të integrimit por edhe për ndërtimin e "Rrugës së Kombit""Sot jam në Tiranë në një vizitë vllazërore për të falenderuar kryeministrin Sali Berisha për bashkëpunimin tonë të shkëlqyeshëm që kemi patur në këto vite.  Dua të falenderoj kryeministin Berisha për punën e bërë për shqiptarët, për liberalizimin e vizave, për anëtarësimin në NATO, për proçesin e integrimit të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe për ndërtimin e Rrugës së Kombit” tha Thaçi.Ai gjithashtu u shpreh se e ka njohur Berishën me zhvillimet në Kosovë, proçesin e integrimit dhe zgjedhjet e 3-Nëntorit  ndërsa shtoi se do të vazhdojë bashkëpunimin me çdo kapacitet politik dhe institucional në Shqipëri.Më pas kryeministri i Kosovës ka zhvilluar një takim me kryeministrin e ardhshëm, kryesocialistin Edi Rama.Qeveria e Ramës dhe e Kosovës, në Nëntor mbledhje të përbashkët në PrizrenNë përfundim të takimit në selinë rozë, u zhvillua edhe një konferencë për mediat në të cilën Rama u shpreh se menjëherë pas formalizimit të qeverisë së re, bashkë me disa ministra do të vizitojë Prishtinën.Kryeministri i ardhshëm tha gjithashtu se do të nisë menjëherë puna për përgatitjen e një takimi dypalësh, mes dy qeverive, që sipas tij, do të kthehet në një institucion që do ti japë një shtytje të fortë bashkëpunimit mes qeverisë Shqiptare dhe asaj të Kosovës."Me Kryeministrin e Kosovës Thaçi ne zhvilluam një bisedë për të vendosur edhe më tutje piketat e një bashkëpunimi, që vullneti ynë është ta intensifikojë me Qeverinë e Kosovës. Përmes intensifikimit të bashkëpunimit, ne mund të krijojmë më shumë mundësi për të gjithë shqiptarët. Ne të gjithë besojmë se hapat e hedhur me shumë kurajo për një vizion të kthjellët për ardhshmërinë e Kosovës dhe të gjithë rajonit, në funksion të rritjes së hapësirave të paqes në rajon, përbëjnë për ne një pikë referimi në raport me atë që duhet të bëjmë”, u shpreh Rama.Duke iu referuar marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, Rama theksoi se ajo marrëveshje ka shënuar mbylljen e një epoke dhe hapjen e një epoke të re.“Marrëveshja me Serbinë ka shënuar mbylljen e e një epoke dhe hapjen e një epoke të re, ndaj jemi të sfiduar të rrisim masën dhe cilësinë e bashkëpunimit jo vetëm mes nesh, por me të gjithë të tjerët, në të mirë të të gjithë qytetarëve të rajonit.”- theksoi Rama.“Së fundi, ne ramë në një mendje me Kryeministrin Thaçi që, pas vizitës që unë dhe dhe disa ministra të qeverisë së re, pas mandatimit, do të bëjmë në Prishtinë, të nisim përgatitjen e një takimi dypalësh mes dy qeverive tona, që do ta kthejmë në një institucion për t’i dhënë shtysë, atyre fushave ku do të bashkëpunojmë”, përfundoi kryeministri i ardhshëm.Ndërkaq, kryeministri Thaçi e uroi kryeministrin e zgjedhur, Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e 23-Qershorit dhe për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që sipas Thaçit, kanë qenë një sfidë për Shqipërinë.“Do të keni bashkëpunimin e ngushtë të Qeverisë së Kosovës dhe timin personal. Ju falenderoj për bashkëpunimin dhe përkushtimin që keni. Qeveria dhe qytetarët e Kosovës, ashtu siç kanë shprehur besim tek ju shqiptarët, kanë besim tek vizioni juaj për Shqipërinë europiane, që nënkupton edhe Kosovën europiane. Në këto takime që zhvilluam ditë më parë edhe në Zagreb, kemi rënë dakort në hapat e parë që do ndërmarrim, duke nisur nga vizita që do ndërmarrë Rama në Kosovë me një pjesë të ministrave të kabinetit. Po ashtu, gjatë Nëntorit, do mbajmë edhe mbledhjen e parë të dy kabineteve në Prizren dhe do të angazhohemi edhe për festimin e Pavarësisë së Shqipërisë” u shpreh Hashim Thaçi.Ndërsa takimin e tij të tretë, Hashim Thaçi e ka zhvilluar me kreun e LSI-së, Ilir Meta.Takimi Meta - Thaçi: Të forcojmë marrëdhënietNë përfundim të takimit të tyre, në konferencën e përbashkët, Meta shprehu gadishmërinë e LSI-së për forcimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Shqipërisë, nëpërmjet një bashkëpunimi në të gjitha nivelet.“Besojmë shumë në kapacitetin e qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të saj. Besojmë shumë në energjitë pozitive të shqiptarëve në të dy vendet dhe gjithë rajonin. Besojmë se me këto vizione evropiane dhe përgjegjësi të fituara edhe falë përvojave do të arrijmë të ecim më shpejt drejt përmbushjes së aspiratave të shqiptarëve drejt një stadi të ri të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE, Kosovës me BE, konsolidimit të mëtejshëm të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, por edhe duke çuar përpara të drejtat e shqiptarëve kudo ku janë”, u shpreh Meta.Ndërsa kryeministri Thaçi, e ka quajtur takimin me Metën si një një takim vëllazëror. Ai vlerësoi bashkëpunimin me Metën dhe i shprehu mirënjohjen për angazhimin e tij në çështjen e Kosovës në vitet 98/99 por edhe më përpara.  Thaçi e cilësoi kreun e LSI-së si bashkëluftëtar të betejave për çlirimin e Kosovës.“Falenderoj Metën për kontributin e tij në luftën e Kosovës. Roli i tij për lirinë e Kosovës është historik dhe i çmueshëm, prandaj unë i jam mirënjohës. Uroj Metën për fitoren e LSI-së në zgjedhjet e 23 Qershorit. Për rolin ekulibrues në skenën politike shqiptare, për maturinë që ka treguar në këto angazhime të skenës politike në Shqipëri për të kaluar tranzicionin. Presim shumë shpejt që kreu i LSI-së të vizitojë Prishtinën”, u shpreh Thaçi.Politikani i radhës në axhendën e takimeve të Hashim Thaçit, ka qënë kryetari i ri të PD-së dhe kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha.Basha: PD do të mbështesë Kosovën edhe në opozitëGjatë një konference të përbashkët, Basha ka nënvizuar se edhe tani që do jetë në opozitë Partia Demokratike do vazhdojë të mbështesë Kosovën“Patëm rastin të shqyrtojmë disa çështje të bashkëpunimit mes dy kryeqyteteve, diskutuam për detyrën time të re, por rolin e opozitës së re në parlament, për rolin dhe vizionin që do kemi për Kosovën dhe integrimin evropian të Kosovës dhe Shqipërisë dhe evropianizimin në tërësi të Rajonit. Sigurova Thaçin që nuk do mungojë bashkëpunimi nga PD edhe në opozitë”, tha Basha.Duke u ndalur tek marrëveshja e Kosovës me Serbinë, Basha tha: “Marrëveshje historike që hap një kapitull të ri për gjithë rajonin provë e qartë e forcës dhe besimit që Kosova ka krijuar në vite”, tha ai.Ndërsa Thaçi në fjalën e tij vlerësoi rolin e Bashës në njohjen e pavarësisë së Kosovës si dhe në ndërtimin e rrugës së Kombit.“Takohem me mikun Basha, Kryetarin e Bashkisë, liderin e ri të opozitës shqiptare. E përgëzova për punën e bërë në bashki, e falënderoj për angazhimet e tij në ndërtimin e Rrugës së Kombit, për punën e tij të palodhshme si ministër për njohjen e Kosovës. E urova për zgjedhjen në krye të PD-së, kam besim të plotë për të ardhmen e Shqipërisë, ka qenë në krye të përgjegjësive për liberalizimin e vizave”, tha Thaçi.Ndërsa takimi përmbyllës i kryeministrit Hashim Thaçi në vizitën e tij në Tiranë, ishte takimi me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.Nishani: Mbështetje dhe përvojë Kosovës për integrimin në BEPresidenti Nishani vlerësoi karakterin strategjik të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën, të cilat synojnë të shndërrohen në marrëdhënie model në rajon, në përputhje me dëshirat dhe aspiratat e dy vendeve, për t’u integruar në institucionet evropiane dhe euroatlantike, si dhe shprehu angazhimin për të mbajtur hapur institucionalizimin e një dialogu politik intensiv në nivelet më të larta dhe siguroi se, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë fuqimisht Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian dhe gatishmërinë të ofrojë përvojën e saj për proceset integruese.Presidenti vuri në dukje se ka mbështetur në vazhdimësi bisedimet Kosovë-Serbi, si dy shtete fqinje të pavarura e sovrane dhe përgëzoi klasën politike shqiptare të Kosovës për një përqasje racionale ndaj pjesëmarrjes së serbëve në zgjedhje, duke pranuar logon e KQZ-së.Kryeministri Thaçi shprehu mirënjohje për mbështetjen e gjithanshme të Republikës së Shqipërisë dhe nënvizoi vendosmërinë që Kosova të ecë në rrugën e reformave dhe integrimit euroatlantik ndërsa vlerësoi rolin mbështetës të Shqipërisë si të pazëvendësueshëm në procesin e njohjeve, nismave rajonale dhe integrimit të