Rishikimi i konçensioneve, Eno Bozdo: PS do të largojë investitorët

Shqipëria nuk rrezikon të futet në një kolaps energjitik, nëse qeveria e re ndjek linjen e reformave të nisura nga qeveria Berisha. Në përgjigje të deklaratës së lëshuar nga kryesocialisti Edi Rama gjatë konferencës së PS “Shqipëria e gjeneratës tjetër”, ish-zëvendës.ministri Eno Bozdo deklaroi se në RTV Ora News se nëse nga ana e kabinetit të ri qeveritar vijon gjuetia e shtrigave dhe retorika kërcënuese ndaj investitorëve, jo vetëm pas tre muajsh, por shumë më shpejt ne do futemi në krizë, pikësëpari në krizë të besimit nga ana e investitorëve.“Ka dy mundësi, ose zoti Rama është thellësisht i pa njohur me specifikat e kësaj fushe, ose dikush afër tij i përcjell informacione krejtësisht të pabaza, ose janë të dyja bashkë. Ndodhemi në rezervën më të lartë energjitike në kaskadën e lumit Drin që ka parë ky muaj, apo kjo date ndonjëherë në 15 vitet e fundit. Administrimi shtetëror i CEZ ka muaj që jep rezultatet e saj, paguan vetë për të gjithë energjinë që nuk e mbledh vetë, ka filluar të paguajë borxhin e akumuluar ndaj dy kompanive tona shtetërore, menaxhimi po shkon në mënyrë të tillë që të mbyllë atë periudhë problematike, keqmenaxhimi nga kompania private CEZ. Kjo në dallim nga 2005, ku kaskada kishte një nivel afër 265 m, arka e shtetit dhe buxheti nuk kishte mundësi të dilte në treg për të blerë, kur sistemi ishte i kolapsuar në mënyrë të tillë sa ne patëm valë të krizës deri në 2007. Është kontratuar më shumë se 5-6 miliardë euro investime private në energjitikë, përmes ngritjeve të HEC-ve, parqeve me erë. Investime të tilla sistemi elektro-energjitik si ka parë ndonjëherë. Jemi shumë herë më të lidhur mirë me linja interkonjeksioni. Jo vetëm që s’ka vend për panik, po ju siguroj që ky vit ka për të qenë i mbarë. Nëse PS dhe aleatët do vazhdojnë të ndjekin linjën e reformave që ne kemi ndërmarrë në sistemin elektro-energjitik, ky sistem e ka të ardhmen e garantuar. Por nëse do zhbëhen ato gjëra që ne kemi bërë, do bëjnë gjuetinë e shtrigave konçension për konçension, privatizim për privatizim, jo vetëm në tre muaj që ka thënë zoti. Rama por ndoshta edhe më shpejt, ne do futemi në krizë, kriza do jetë edhe e besimit. Ju siguroj që sistemi është në duar të sigurta. Pas miratimit të qeverisë së re, sfidoj këdo të dalë në shifra dhe të dhëna të shpjegojë për çfarë arsye zoti. Rama e ka bërë një deklaratë të tillë” tha ai.Kontratat konçensionare të qeverisjes demokratike nuk kanë asnjë shkelje ligjore dhe dosjet që do kenë në dispozicion socialistët do të faktojnë të vërtetën e pamohueshme , theksoi Bozdo.“Ne kemi thënë se gjithçka që është bërë, është bërë me transparencën absolute, të gjitha proçeset qoftë të konçensioneve apo privatizimeve të mëdha janë bërë për të reformuar nga ana strukturore ekonominë dhe për të tërhequr kapitalin e huaj, duke zvogëluar në të njëjtën kohë rolin e shtetit në ekonomi. Nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Kemi ndjekur të gjitha procedurat ligjore, legjislacioni në të gjitha rastet sanksionon garën si elementin më të rëndësishëm për akordimin e një privatizimi apo konçensioni. Të gjitha këto janë bërë në transparencë të plotë dhe në dritë të diellit edhe mediatikisht. Nuk e di nëse këto deklarata kanë krijuar shqetësim real tek investitorët, nga të dhënat e mia sigurisht kanë krijuar shqetësim. Nga ana tjetër ata e kanë të qartë se proçedurat janë konform ligjit. Një përqasje e tillë e qeverisjes që po vjen do jetë një gjueti shtrigash, do nervozojë investitorët, ata që kanë investuar dhe ata që mendojnë ta bëjnë. Shpresoj të jetë retorikë politike, nëse do shkohej në këtë rrugë do të zhbënte atë që Shqipëria ka arritur, mbajtjen larg të recesionit. Kjo nuk është arritur se na ra fati, por në sajë të reformave dhe besimit që kanë pasur investitorët. Nëse dikush do cënojë këtë klimë të re të biznesit ne së shpejti do të flasim për problematikë të thellë ekonomike. Zotërinjtë që marrin detyrat do kenë të gjithë kohën në dispozicion për të parë dosjet dhe mund të diskutojmë pastaj lidhur me gjetjet e tyre. Edhe në komisionet parlamentare i kanë parë dhe s’kanë konkluduar asgjë. Kemi përqasje shumë ndryshe, socialistët godasin gjithçka që u del përpara.Gjithçka ka qenë konform ligjit. Të gjitha privatizimet kanë kaluar në proçedura parlamentare. Nuk ka pasur asnjë sugjerim prej tyre për të përmirësuar kontrat e privatizimit apo kontratat e konçensioneve të mëdha. Tutje nga qëndrimi i kthehem vitit 2004, ku PD kritikoi një privatizim, atë të Albtelekom ku bëri propozime që jo vetëm nuk u largua investitori, por përmirësoi edhe kontratën, si dhe ruajti interesin publik brënda të njëjtës kontratë” theksoi Bozdo.Sipas ish zëvendës.ministrit të METE, kjo nuk është një gjuhë e tre muajve të fundit por zgjatim i retorikës katër vjeçare të PS. Lidhur me akuzat për Albetrol, ai tha se për privatizmin e 3% të sipërfaqes së saj janë ndjekur të njëjtat proçedura që janë ndjekur nga qeverisja socialiste për 97%.“Këtë gjuhë opozita e ka përdorur tre vitet e fundit, jo tre muajt e fundit pas zgjedhjeve. Ka goditur me të njëjtën terminologji, të njëjtat akuza nga të njëjtat personazhe, të njëjtat proçedura. Çfarë goditet, a ka një deklaratë apo diçka të vecantë për diçka specifike, apo flitet në përgjithësi? Të gjitha këto janë zgjatim i retorikës katër vjeçare të PS. Nuk kemi një kritikë të detajuar dhe me argumente. Ju përmendët Albetrolin, bëhet fjalë për rreth 2-3% të sipërfaqes së Albetrol, ku 97% e saj është dhënë me konçesion, një proçedurë që e ka iniciuar PS kur ishte në pushtet dhe ka bërë shumë mirë. Atëherë pse kjo që është bërë në 2004 dhe akuzatori zoti Braçe ka votuar pro, paska një dallim me këtë proçedura që ndjekim sot ne. Kemi të bëjmë me proçedura identike. Këtu është sulmuar gjithçka. Do jetë rasti i vetëm në Europën Juglindore ku opozita ju thotë investitorëve mos investoni se kur të vij unë në pushtet do ju kthej mbrapsht dhe kjo do të thotë shtetëzim. Vetëm dy Presidentë në Amerikën Latine kanë arritur ta bëjnë, Çaves dhe Morales.Të shikojmë nëse ulja në kolltuqet e ekzekutivit do ti qetësojë dhe do ti bëjë të kuptojë se të qeverisësh një vend është një sfidë e pamatë” tha Bozdo për drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj.Duke e cilësuar si një ndër arritjet madhore të qeverisjes Berisha nënshkrimin e marrëveshjes për projektin TAP, Bozdo tha se frytet e kësaj marrëveshje do të vilen brenda një dekade.“Kjo do të varet nga ato pak proçedura jo thjesht të brendshme që kanë mbetur për tu kopsitur. Në rastin më të mirë TAP do ketë mundësinë për të filluar punimet diku nga pranvera ose mesi i vitit të ardhshëm. Në një hark kohor tre vjeçar do ti jape efektet e saj. Efektet më të rëndësishme janë edhe më të shtyra në kohë, proçesi i gazifikimit barazohet me proçesin e industrializimit të vendit. Në çastin që kemi gazin duhet të mendojmë për të ngritur rrjetin e brendshëm të shpëndarjes, veçanërisht në ngritjen e burimeve të reja të energjisë, vendi jonë ka nevojë për një prodhim energjik bazë. Gazi konsiderohet deri diku energji e pastër. Efektin e plotë ndoshta do ta marrim brenda 5-7 vitesh, apo qoftë dhe një dekade.E ndërsa ishte i ftuar në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News vetëm pak orë pas shkarkimit të tij nga pozicioni i zëvendës.ministrit, Bozdo bëri dhe një analizë të 8-vjeçarit të qeverisjes së PD, duke bërë një krahasim mes Shqipërisë që morën prej socialistëve dhe asaj që po ua dorëzojnë aktualisht.“Shqipëria e 2005 nuk ngjan fare me atë të 2013. Ajo e 2005 ishte subjekt i krizave nergjitike, i orareve të fikjes së dritave, qytetari duhet të mbante orë radhe dhe aplikime të njëpasnjëshme për të marrë vizën për të udhëtuar drejt BE, kishte një infrastrukturë për të ardhur keq, veçanërisht ajo rrugore ishte bërë problem edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, u dominua nga krimi i organizuar, një ndër problematikat kryesore që ne u morëm, i trajtuam dhe e zgjidhëm, gjë që çoi dhe në liberalizimin e vizave. Shqipëria e 2005 është krejt tjetër, kërcimi gjigand është bërë në harkun 8-vjeçar, në atë që unë do ta përkufizoja si modernizimin e vendit. Në asnjë 8 vjeçar tjetër të ngjashëm nuk kanë ndodhur zhvillime të tilla, hyrja në NATO, trokitja pranë dyerve të Europës, me një status që realisht duhet ta kishim marrë para tre vitesh. Ka qenë një qeverisje aspak e thjeshtë, jo vetëm që kishim një opozitë më shumë se problematike dhe dekonstruktive, por 5 vitet e fundit të qeverisjes së PD janë kryer nën krizën ekonomike më të madhe globale. S’ka pasur qeveri shqiptare që është përballur ndonjëherë me sfida të këtij lloji dhe ja doli. Shqipëria është një vend që papunësia nuk është rritur, është në të njëtin nivel të katër viteve më parë, ndërkohë që në vendet e rajonit apo të BE ne e dimë çka ndodhur . Shqipëria është një vend që parametrat makro- ekonomikë i ka në mënyrën më të mirë të stabilizuar, pavarësisht debateve. Shqipëria sot ka bërë hapa gjigandë në përmirësimin të klimës së të bërit biznes, në 2005 paguhej 3 deri në 4 mijë dollarë për të regjistruar një biznes, sot paguhet më pak se 1 dollarë për të regjistruar biznesin. Kemi revolucionarizuar të gjithë sistemin e lejeve, liçensave, autorizimeve dhe së fundi dhe sistemin e inspektimit që impakti do ndihet në muajt që do vinë. Shqipëria e 2005 ishte viti ku humbnin në vit 1,5 miliardë dollarë nga korrupsioni dhe keqmenaxhimi në dogana e sistemin fiskal. Në 8 vite të qeverisje të PD ne kemi mundur të mbledhim më shumë se 9 miliardë dollarë krahasuar me 8 vjeçarin e kundërshtarit politik. Kemi të bëjmë me një modernizim të shtetit, ngritje institucionale. Ka plot gjëra që mund të bëheshin, por ka qenë një përpjekje vigane për të ndryshuar vendin dhe rritur prestigjin ndërkombëtar.Të gjitha këto në fund të ditës reflektojnë në ekonomi, nuk ramë në reçesion. Vetëm në një vit të zakonshëm në katër vitet të fundit kemi marrë katër herë më shumë investime të huaja direkte” tha zoti Bozdo.Nga ana tjetër Bozdo nuk mohoi faktin se vendi ka sfida përpara, por shtoi ai, vendi në këto 8 vite ka bërë vërtet hapa gjigandë.“Shqipëria sot në një vit pret minimalisht 10-12 herë më shumë turistë të huaj, mbi 4 mln, së dyti ne në vit marrim më shumë se 1 mln dollarë investime të huaja direkte. Në mesataren e 2005 është katër apo 5 herë më e ulët. Një vit yni është barazuar me një 4 vjeçar të qeverisjes së PS. Në 2005 Shqipëria ishte në krizë energjitike, të cilën arritëm ta ndalojmë në 2007. Sot ne ikim nga ekzekutivi me dy projekte shumë të mëdha energjitike që çdo vend i rajonit do ti kishte zili, projektin e gazësjellësit TAP dhe këtu duhet të nënvizojmë rolin e padiskutueshëm të Kryeministrit Berisha në lobimin diplomatik dhe projektin më të madh në Europë për energjinë e rinovueshme të kaskadës së Devollit. Janë miliarda miliarda dollarë që do derdhen në Shqipëri dhe mijëra e mijëra vende pune që do hapen. Shqipëria sot është një planet tjetër, në kuptimin pozitiv, krahasuar me atë të para 8 viteve. Sfida ka, por kemi gjithë të drejtën të ndjehemi krenar për atë që kemi arritur dhe në të njëjtën kohë tu premtojmë qytetarëve shqiptarë se do të jemi këtu për të mbrojtur të drejtat e tyre edhe në opozitë” përfundoi ai.