Verë pa zjarre, më pak vatra zjarri gjatë këtij sezoni në Kukës
Sezoni i verës, së këtij viti ka rezultuar i sukseshëm sa i takon vëmendjes që i është kushtuar sipërfaqeve pyjore për ruajtjen e tyre nga zjarret. Specialistët e pyjeve thonë se ndryshe nga vitet e tjera, gjatë kësaj vere në pyjet e Kukësit është regjistruar vetëm një rast i rënies së zjarrit në pyje,i cili rezultoi të ketë rënë nga pakujdesia e banorëve të zonës së Kalimashit, nga ku u dogjën më shumë se 5 hektar dushqe.Specialistët thonë se në bashkëpunim dhe me njësitë vendore, që janë pronare të ligjshem të pyjeve të tyre, por edhe komunitetit në cdo zonë janë vendosur rojtarët e pyllit me qëllim që për çdo vatër zjarri që mund të shfaqet, të njoftohen banorët e zonave respektive dhe specialistët e pyjeve për të bërë të munduar shuarjen në kohë të flakëve të zjarrit.Pjesa që shqetëson më shumë vazhdimisht specialistët e pyjeve, është zona kufitare me Kosovën pasi këto sipërfaqe pyjore dëmtohen nga banorët e të dy anëve të kufirit.Gjatë vitit të kaluar në masivet pyjore të qarkut të Kukësit u dogjën më shumë se 150 hektarë me pyje e kullota, ndërkohë që këtë vit janë djegur vetëm 5 hektarë. Në qarkun e Kukësit sipërfaqja pyjore arrin në rreth 130 mijë ha, prej të cilave rreth 60 mijë ha në rrethin e Kukësit, 43 mijë ha në rrethin e Tropojës dhe 25 mijë ha në rrethin e Hasit.