Zgjedhjet e pjesshme, KQZ: Është shkelur afati, partitë të sjellin emrat e anëtarëve të KZAZ-ve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shprehur shqetësimin në lidhje me mosrespektimin e kuadrit ligjor dhe shkeljen e afateve ligjore të propozimeve për anëtarët e KQV-ve pranë KZAZ-ve nr 2, qarku Shkodër dhe KZAZ nr. 73, qarku Korçë, nga të gjitha subjektet politike që gëzojnë të drejtën dhe kanë detyrimin ndaj këtij procesi. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e këtij institucioni Drilona Hoxhaj, tha se kjo sjellje, krejtësisht në kundërshtim me afatet ligjore të percaktuara, përbën shkak për cënimin e standardeve të këtij procesi, pasi vonesa e paraqitjes së propozimeve nga subjektet politike për anëtarësinë e 30 KQV që do të funksionojnë për këto zgjedhje, vështirëson punën e KQZ-së për trajnimin e tyre, si një moment shumë i rëndësishëm i procesit zgjedhor.“Janë këta komisionerë, të cilët do të menaxhojnë realisht procesin në ditën e votimit, dhe ngushtimi i hapësirave kohore për trajnimin e tyre, për njohjen e tyre me kërkesat e kuadrit ligjor zgjedhor, për demonstrimin praktik të zbatimit të procedurave ligjore, potencialisht do të cënojë zbatimin nga ana e tyre të kritereve të kërkuara nga Kodi Zgjedhor” tha ajo.Hoxhaj sqaroi më tej se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përmbushje korrekte të detyrave të tij funksionale, ka përmbyllur prej kohësh të gjithë kuadrin e nevojshëm nënligjor që do të shërbejë për këto zgjedhje. Gjithashtu, është pergatitur dhe përpunuar e gjithë baza materiale e nevojshme, dhe më mbërritjen dje, të fletëve të votimit të prodhuar nga kompania sllovene Cetis DD., është përmbyllur plotësisht përgatitja e gjithë materialit të nevojshëm zgjedhor.“Ditën e djeshme, menjëherë pas mbërritjes në Doganën e Tiranës së fletëve të votimit prodhuar nga kompania sllovene sipas të gjitha kërkesave specifike ligjore, dhe në afatin kohor të parashikuar, është vijuar me intensitet puna për përpunimin dhe ndarjen e tyre në kutitë e çdo Qendre Votimi.Procesi i përpunimit të materialit zgjedhor është pothuaj në përfundim, dhe më pas do të vijohet me dërgimin e tij pranë KZAZ nr. 2 dhe KZAZ nr. 73, të cilat do të vijojnë më tej më shpërndarjen e tij KQV, që kanë nën juridiksion.Për realizimin në kohë dhe sipas kërkesave ligjore të këtyre procedurave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën apel të gjitha subjekteve politike të paraqesin urgjentisht propozimet e tyre për anëtarë të KQV pranë KZAZ-së nr. 2 dhe 73, që këto komisione të vazhdojnë punën për emërimet e tyre, dhe KQZ të kryejë trajnimet e planifikuara për ta” theksoi ajo.“Gjithashtu, duke përfituar nga rasti, informojmë se për këto zgjedhje nuk kanë paraqitur interes për akreditim brenda afateve kohore të parashikuar në vendimin e KQZ-së, vëzhgues shqiptarë, ndërsa afatet kohore të akreditimit të vëzhguesvë të huaj përfundojnë jo më vonë se 72 orë nga dita e zgjedhjeve.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, garanton të gjithë votuesit e komunës Dardhas dhe Rrethina, se në ndjekjen në dinamikë të procesit, do të zbatojë më korrektësi të gjithë kërkesat ligjore, duke marrë në rast nevoje masat e nevojshme, për të mos lejuar askënd të cënojë mbarëvajtjen e tij, për ti garantuar kështu cdo votuesi ushtrimin e qetë dhe të lirë të së drejtës së votës!” përfundoi Hoxhaj.