PD: Rama “gosti” me pronat e shqiptarëve për miqtë, nuk do ta lejojmë
Shqiptarët presin zbatimin e premtimeve për të cilat erdhën në pushten dhe jo shfaqe mediatike. Kjo ka qenë deklarata nga selia blu lidhur me konferencën e PS “Shqipëria e Gjeneratës Tjetër” për territorin dhe ekonominë. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, deklaroi se Rama po synon të vendosë pronat e vendit në kontrollin e miqve të tij, por shtoi ajo, një gjë e tillë nuk do të lejohet nga PD."Për të mbrojtur standartet demokratike dhe të drejtat civile, sociale dhe ekonomike të qytetarëve, Partia Demokratike do të jetë në krah të gjithësecilit, përballë këtij arbitrariteti. Partia Demokratike nuk do lejojë që pjesët më të cmuara të vendit, të bregdetit, të rivierës shqiptare të grabiten dhe me to të shpërblehen gjithfarësoj arkitektësh e biznesmenësh që financuan fushatën e PS. Kërcënimet e Kryesocialistit për anullimin e planit urbanistik të Tiranës, fshehin vetëm interesat e grupeve dhe klientëve të tij.Koha për shfaqje mediatike dhe skenike ka mbaruar dhe shumica e qytetarëve të vendit presin shëndetësi falas, heqje të taksës së biznesit të vogël, ulje të taksave për 95% të shqiptarëve, legalizim falas, 300 mijë vende pune e të tjera premtime me të cilat PS erdhi në pushtet” tha Tabaku.Duke iu projekteve të qeverisë së re për territorin, nënkryetarja e Bashkisë theksoi se shembullin më të mirë lidhur me këtë çështje Rama e shpalosi në Tiranë.“Vizioni i vërtetë i kryesocialistit për territorin u shpalos më së miri në Tiranën e betonizuar gjatë kujdestarisë së tij. Mungesa e qëllimshme 11 vjecare e Planit Urban të Tiranës është një leksion bindës se ai e sheh territorin si një hapësirë për ta futur nën kontrollin e tij dhe të miqve të tij. Ndaj dhe këto ditë u përkujdes të mos u shfaqte turistëve kureshtarë as edhe një foto të bëmave të tilla si Komuna e Parisit” tha ajo.