“Zhurma nuk është liri e medias”/ Tabaku: Raportet po përdoren për propagandë, jo për realitetin në terren

Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka reaguar pas publikimit të raportit të “Buletin Intelligence”, i cili u shpërnda edhe nga kryeministri Edi Rama dhe sipas tij tregon se nuk ka kapje të medias nga qeveria.

Në një postim në rrjetin social X, Tabaku shprehet se ky raport po përdoret për të zëvendësuar problemet reale të medias me statistika dhe debat politik.

Sipas saj, liria e medias nuk matet me numra apo prezencë në ekran, por me aftësinë e gazetarëve për të hetuar pa presion.

Ajo thotë se problemi kryesor nuk është mungesa e zhurmës në media, por mungesa e një media të pavarur që mund të trajtojë lirshëm çështje si korrupsioni dhe vendimmarrja publike.

Sipas saj, në vend është krijuar një sistem që ndikon ekonominë dhe median, duke sjellë varësi dhe vetëcensurë.

Tabaku shton se gazetarët përballen me presione të ndryshme, si intimidim, mungesë aksesi në institucione dhe vështirësi ekonomike, gjë që sipas saj dëmton lirinë reale të medias.

Në reagim ajo shprehet se standardet europiane nuk arrihen vetëm me statistika, por me institucione të pavarura dhe besim publik, ndërsa shton se debati aktual po shmang problemet thelbësore të medias në vend.