Klevis Balliu takohet me senatorin italian De Rosa: Diskutime mbi sigurinë dhe mbrojtjen në kuadër të bashkëpunimit euroatlantik

Klevis Balliu zhvilloi një takim me senatorin italian Raffaele De Rosa dhe përfaqësues të diasporës shqiptare, ku u diskutuan çështje të sigurisë, bashkëpunimit euroatlantik dhe sfidat e emigracionit.

" Pata kënaqësinë të zhvilloja një takim me Senatorin italian Raffaele De Rosa, anëtar i Komisionit të Tretë të Përhershëm për Punët e Jashtme dhe Mbrojtjen, si edhe i Komisionit të Jashtëzakonshëm për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Njeriut në Senatin Italian.

Në këtë takim morën pjesë gjithashtu Dr. Aniello Iacomino, Shef i Sekretarisë së Senatorit Raffaele De Rosa, znj. Francesca Marino, Këshilltare Politike e Senatorit, Bardhok Doda, Koordinator për PD Itali dhe Koordinator i Forza Italia për emigrantët në Itali, si edhe Gentjan Hodaj, President, dhe Madjana Nuredini, Zëvendëspresidente e Shoqatës “Emigrantët Pa Kufij” në Padova.

Gjatë diskutimeve trajtuam në mënyrë të imtësishme çështje që lidhen me sigurinë, mbrojtjen dhe sfidat në kuadër të bashkëpunimit euroatlantik, por edhe tema me rëndësi të veçantë për diasporën shqiptare.
Po ashtu, ndamë shqetësimin mbi fenomenin e largimit të të rinjve nga Shqipëria, i cili sot përbën një nga problemet më madhore për vendin dhe kërkon politika serioze për të rikthyer shpresën dhe mundësitë për brezin e ri.

Theksova gjithashtu nevojën që Shqipëria të vazhdojë të rrisë standardet e saj institucionale, demokratike dhe ekonomike në përputhje me aspiratat euroatlantike.

Italia për ne nuk është thjesht një aleat strategjik. Mes shqiptarëve dhe italianëve ekziston një marrëdhënie e veçantë shpirtërore, historike dhe njerëzore, e ndërtuar ndër vite mbi respektin, afërsinë dhe miqësinë mes dy popujve tanë.

Ishte një kënaqësi e veçantë të kishim mundësinë të diskutonim mbi këto çështje me rëndësi për të ardhmen e Shqipërisë dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes vendeve tona", shkruan Balliu.