BEGAJ FTON PAPËN NË SHQIPËRI! Presidenti: Vuajtëm nga ndalimi i besimit në komunizëm
Presidenti Bajram Begaj ftoi Papa Leonin XIV për një vizitë në Shqipëri gjatë takimit në Vatikan, ku u diskutua edhe për integrimin europian dhe stabilitetin në rajon. Begaj theksoi vuajtjet e shqiptarëve nga ndalimi i besimit gjatë komunizmit dhe vlerësoi qëndresën e besimtarëve ndër vite.
Presidenti Bajram Begaj ftoi Papa Leonen XIV për të zhvilluar një vizitë në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e një vizite të tillë për vendin tonë, ndërsa u prit nga Ati I Shenjtë një audience në Pallatin Apostolik në Vatikan.
Në takim u vunë në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera me Selinë e Shenjtë, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kontributi shqiptar për paqen dhe stabilitetin në rajon, tha presidenca përmes një njoftimi zyrtar
Gjatë bisedës thuhet se një vëmendje e veçantë iu kushtua besimit, persekutimit të klerikëve dhe besimtarëve të krishterë në periudhën e komunizmit në Shqipëri.
“Shqipëria ka vuajtur në mënyrë të tmerrshme nga ndalimi i besimit gjatë regjimit komunist”, citohet të ketë thënë kreu I Shtetit në diskutimin me Papën.
Presidenti ka shtuar se në atë periudhë, por dhe në shekuj më të hershëm, shqiptarët e kanë ruajtur në shpirt besimin në Zot dhe e kanë ushtruar atë duke rezistuar me qëndresë deri në martirizim.
Begaj po ashtu pati një takim me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, ku u diskutuan zhvillimet ndërkombëtare me vëmendje të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Gjithashtu, në takim u diskutua dhe për Kosovën dhe zgjidhjen nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit të çështjeve të hapura në rajon, si dhe rëndësinë e integrimit në BE të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
