Fasada e Integrimit/ Konçi: Ja pse BE nuk duhet të jetë një 'Trofe Politik' për pushtetarët

Shqipëria po ecën drejt Bashkimit Europian në letër, por realiteti flet për një shtet ligjor që nuk funksionon. Prapa një fasade suksesesh që po përdoret si një trofe i mirëfilltë politik, fshihet një situatë aspak e kënaqshme në lidhje me standardet demokratike dhe luftën kundër korrupsionit.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", Besnik Konçi, ish-ambasador i Shqipërisë në Kanada, u shpreh se gjendja aktuale tregon se një pjesë e madhe e kabinetit qeveritar ndodhet tashmë nën hetimet e organeve të drejtësisë. Institucionet e reja që supozohet të godasin krimin janë të bllokuara dhe përballen me shantazhe të vazhdueshme. Kjo situatë nxjerr zbuluar dështimin e shtetit ligjor dhe thellon krizën në vend, duke treguar se reforma e shumëpërfolur në drejtësi ka mbetur në udhëkryq.

" Mund të themi se gjërat janë okej nga pikëpamja praktike, mbetet shumë për të verifikuar dhe për të parë. Sepse ne jemi të gjithë dëshmitarë të një situate në të vërtetë aspak të kënaqshme nga pikëpamja e standardeve demokratike, nga pikëpamja e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, nga pikëpamja e shtetit ligjor.

Dhe unë gjithmonë në mendimet e mia, në gjykimet e mia e kam parë Bashkimin Europian jo si një trofe politike për klasën politike në fuqi ose për establishmentin, po e kam parë si një realizim standardesh për popullin shqiptar. 

Nuk flasim në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ju keni gjysmën e qeverisë në SPAK. Keni një SPAK që është i bllokuar, i shantazhuar. Pra, shteti ligjor nuk funksionon.

Në qoftë se ne edhe këtë nuk e themi, atëherë e vëmë në dyshim këtë që po them atëherë.

Mbase unë i shikoj gjërat gabim, por unë kështu i shikoj. Nga pikëpamja ekonomike po shikojmë gjithmonë e më shumë që standardet nuk po ecin aty ku duhet.

Domethënë, ju shikoni më shumë një lloj polarizimi ekonomik, i cili bazohet më shumë në afera sesa në një zhvillim ekonomik normal.

Njerëzit, ju vetë po e shikoni, largohen nga Shqipëria sepse nuk shikojnë perspektivë dhe kjo është, me të vërtetë shqetësimi më i madh për kombin, jo vetëm për Shqipërinë si Shqipëri.

Kështu që në këtë lloj aspekti, okej, nga pikëpamja formale, Bashkimi Europian, do ta përdorin politikisht. Por vetëm një gjë duhet të dimë që për momentin ne jemi këtu, por shumë shpejt gjërat do të kenë ndryshime të tilla që mbase kjo që po bëjmë sot dhe që po e quajmë si trofe, nesër do të na bjerë mbi kokë", u shpreh Konçi.

Ndiqni intervistën e plotë: