"Kërkesa nga administrata për mospublikimin e videos/ Vezaj: Të burgosur dhe zyrtarë kanë kërkuar shmangien e këtij materiali
Në një lidhje direkte nga Shtetet e Bashkuara për emisionin “Ora e Betit”, i ftuar ishte gazetari Flamur Vezaj, i cili ka publikuar videon e burgut të Sigurisë së Lartë në Durrës dhe ka ngritur debat për mënyrën se si po menaxhohen këto institucione.
Ai tregoi se pas paralajmërimit për publikimin e videos ka marrë një numër shumë të madh telefonatash dhe mesazhesh, nga persona të ndryshëm brenda dhe jashtë sistemit të burgjeve.
"Telefoni dhe rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe dhe telefonata, nga persona që ndodhen brenda burgjeve, familjarë dhe zyrtarë të ndryshëm që kërkojnë të dinë përmbajtjen e videos dhe të shmanget publikimi."-tha Vezaj.
Gazetari thotë se mesazhet kanë ardhur edhe nga të burgosur, të cilët kanë shprehur shqetësim nëse shfaqen në pamje, duke kërkuar që materiali të mos publikohej. Sipas tij, interesimi nuk është kufizuar vetëm brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit, por ka përfshirë edhe punonjës të administratës dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.
Ai tregon se janë kontaktuar edhe persona të afërt të tij, si dhe miq në SHBA dhe Shqipëri, për të ushtruar ndikim indirekt mbi vendimin e publikimit.
"Kërkesat për mospublikim kanë qenë të shumta dhe të vazhdueshme, ndërsa kërcënimet direkte kanë qenë të rralla dhe të paqarta."-shtoi ai.
Gazetari shton se në disa raste është tentuar të ndikohet përmes kanaleve jo direkte, duke përdorur kontakte personale dhe ndërmjetës për të shmangur publikimin e videos.
Sipas tij, presioni ka ardhur nga nivele të ndryshme, por nuk ka ndaluar publikimin e materialit, i cili vijon të jetë në qendër të diskutimeve publike.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

