SIGUROI VIDEO-SKANDALIN NGA BURGU I DURRËSIT/ Vezaj: 30 telefona në një kat të vetëm. Gazetari jep detaje nga kontrolli i befasishëm
Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara për emisionin “Ora e Betit”, ishte gazetari Flamur Vezaj, i cili ka publikuar së fundmi një video-skandal që ka ngjallur reagime të bujshme për burgun e Sigurisë së Lartë të Durrësit.
Gazetari ka folur për kontrollin e kryer nga Drejtoria e Burgjeve pas publikimit të materialit, ku janë gjetur 30 telefona celularë të fshehur në ambiente të ndryshme të burgut.
Tre prej tyre janë zbuluar në qeli, ndërsa 27 të tjerë në dushet e përbashkëta.
"Gjetja e një numri të tillë telefonash në një kat të vetëm tregon se problemi nuk është rastësor, por i përsëritur brenda institucionit."-tha Vezaj.
Sipas tij, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka nisur verifikime dhe po pyet punonjësit që kanë qenë në detyrë në periudhën kur dyshohet se është realizuar videoja.
Ai ka shtuar se nuk janë marrë masa konkrete ndaj personave të përfshirë apo drejtuesve të institucionit, pavarësisht kalimit të disa ditëve nga publikimi i rastit.
"Pas publikimit të videos, kanë ardhur reagime dhe mesazhe të shumta, përfshirë edhe nga persona brenda sistemit të burgjeve."- u shpreh Vezaj.
Ai thotë se materiali i siguruar tregon se problematika me komunikimet e ndaluara nuk kufizohet vetëm në Durrës, por shtrihet edhe në institucione të tjera të vendit.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "ORA E BETIT" NË ORA NEWS:

