DY VITE NGA KRIMI NË FAMILJE NË KONISPOL/ Dënohet Klementin Islamaj për vr*sjen e babait. Ja sa do zgjasë burgimi
Policia e Sarandës ka ekzekutuar vendimin e gjykatës duke arrestuar shtetasin Klementin Islamaj, 43 vjeç, banues në fshatin Shalës të bashkisë Konispol.
Ai është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë me 3 vite e 4 muaj burg për veprën penale “vrasje e kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.
Ngjarja për të cilën është dhënë vendimi ka ndodhur më 10 gusht 2024 në familjen Islamaj në Shalës të Konispolit. Sipas hetimeve, në atë ditë babai i tij, Hysen Islamaj, 69 vjeç, pasi kishte vrarë bashkëshorten 66-vjeçare, ka kanosur dhe më pas ka sulmuar edhe të birin.
Nga dëshmitë e dhëna gjatë hetimeve, Klementin Islamaj ka treguar se në momentin e ngjarjes ka gjetur nënën e tij të pajetë dhe më pas është përballur me të atin, i cili sipas tij e ka goditur dhe ka shprehur kërcënime.
Ai ka thënë se në gjendje tronditjeje ka reaguar duke e goditur të atin, pa përdorur mjete të tjera, dhe më pas ka tentuar t’i japë ndihmë pasi e ka parë të rrëzuar.
Pas ngjarjes, ai ka njoftuar për ndihmë mjekësore dhe autoritetet.
Sipas informacioneve të fundit, Klementin Islamaj ndodhet në gjendje të rënduar psikike edhe pas gati dy vitesh nga ngjarja.

