A do të shërbejë doktor Zingaretti si një kamerdare shpëtimi për Erion Veliajn?
Mediet dje raportuan se i burgosuri në qelitë e Durrësit, Erion Veliaj, me 13 akuza të rënda penale, pritet që ditën e nesërme, pra më datë 6 maj, të bëjë një kontroll shëndetësor në spitalin privat “Salus”.
Sipas raportimit të bërë nga “Ora News”, lajmi ishte konfirmuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, si dhe vetë spitali “Salus”, ku doktori me mbiemrin Zingaretti do të jetë mjeku, i cili do të kontrollojë Erion Veliajn. Është një kontroll rutinë apo një problem shëndetësor, kjo mbetet për t’u parë.
Pyetja që lind menjëherë është: A do të shërbejë ky lloj kontrolli dhe kjo lloj vizite për të nxjerrë Erion Veliajn nga burgu? Ashtu siç ndodhi me rastin e Redi Mollës, drejtorin e famshëm të dosjes “5D” të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Redi Molla, i arrestuar për dosjen “5D”, është në gjykim dhe doli nga qelia me një masë më të zbutur sigurie sepse rezultoi i sëmurë nga zemra. A do të përdoret e njëjta skemë? Në fakt, një pyetje tjetër lind: A do të pranojë doktor Zingaretti të përdoret për të njëjtën skemë apo do të jetë një profesionist i vërtetë? Në rastin e Redi Mollës u tha se ishte i sëmurë dhe doli.

Në rastin e Erion Veliajt pritet të bëhet një kontroll në një spital privat nga një doktor i huaj, jo në QSUT, jo te kardiologët e shkëlqyer shqiptarë, por është zgjedhur një spital privat me kardiologë të huaj, për të bërë një kontroll zemre apo një koronare, që në finale ka dy përgjigje: ose Erion Veliaj gëzon shëndet të plotë dhe rri në qeli, ose ka probleme zemre, të vërteta ose jo këtë s’dimë ta themi, dhe më pas ky raport i doktorit mund të përdoret për të nxjerrë Erion Veliajn nga burgu.
Në fakt, e gjitha ngelet te dora e doktorit, a do të jetë profesionist dhe i vërtetë apo do të shërbejë si mjekët italianë që kemi parë në filma se si lëshonin raporte për të nxjerrë mafiozët nga burgu? Të shpresojmë që nuk jemi përballë një rasti të tillë, por kemi të bëjmë me një doktor profesionist që nuk manipulon kartelat e të sëmurëve dhe nuk ndihmon të shumëakuzuarit të dalin nga burgjet./CNA

