"Reagojmë vetëm pasi ndodhin tragjeditë”/ Sulçe: Aksidentet në Shqipëri s'vijnë vetëm nga shoferët, por nga...
Aksidentet rrugore në Shqipëri nuk janë vetëm rezultat i gabimeve të drejtuesve të mjeteve, por edhe i mungesës së bashkëpunimit mes institucioneve përgjegjëse për sigurinë në rrugë.
Kjo është analiza e bërë nga eksperti i sigurisë rrugore Artur Sulçe, i ftuar në studion e Ora News.
Sipas tij, për të ulur numrin e aksidenteve nuk mjaftojnë aksione të përkohshme apo ndryshime ligjore, por nevojitet një punë e përbashkët dhe e vazhdueshme nga të gjitha institucionet.
Ai thekson se në proces duhet të përfshihen Policia Rrugore, bashkitë, Drejtoria e Rrugëve, institucionet qendrore dhe lokale, si edhe vetë qytetarët.
“Çdo hallkë duhet të jetë e lidhur me tjetrën. Nuk mund të punohet i ndarë. Edhe një jetë e shpëtuar ka vlerë të madhe për një vend që po plaket,” u shpreh ai.
Eksperti kritikoi edhe mënyrën se si trajtohet problemi nga institucionet, duke thënë se reagimi ndodh vetëm pasi ndodhin ngjarjet dhe jo në mënyrë parandaluese.
Ai solli si shembull një komision ndërministror për sigurinë rrugore, i cili sipas tij është mbledhur vetëm një herë vite më parë dhe më pas nuk ka funksionuar më.
“Vetëm kur ndodhin aksidentet merren masa. Mungon një strategji e vazhdueshme,” tha Sulçe.
Ai u ndal edhe te debati për ashpërsimin e dënimeve, duke vlerësuar se Kodi Penal shqiptar tashmë parashikon masa të rënda për aksidentet fatale, ndaj problemi nuk qëndron te ligji, por te zbatimi dhe parandalimi.
Sipas tij, edhe në vende të tjera si Italia, aksidentet trajtohen si vepra penale të rënda, por fokusi kryesor mbetet parandalimi dhe jo vetëm ndëshkimi.
Eksperti apelon për një qasje më të organizuar dhe të përbashkët, në mënyrë që rrugët të mos kthehen në burim tragjedish dhe vizitat mes njerëzve të jenë vetëm për gëzime, jo për ngjarje të rënda.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:


