“Problemi i parë dhe i fundit është tek vota”/ Kopliku: Opozita 'largohet' nëse nuk frymëzon, por këtu kjo nuk ndodh
Në emisionin “Drejt” ishte i ftuar drejtuesi i “BrainGain” në Partinë Demokratike, Tedi Kopliku, i cili foli për fenomenin e largimit masiv të shqiptarëve dhe gjendjen e protestës në vend.
Sipas tij, Shqipëria po përballet me një nivel shpopullimi që nuk përputhet me potencialin që ka vendi. Ai kujtoi se prej vitit 2016-2017, kërkesat për azil nga shqiptarët janë krahasuar me ato të vendeve në konflikt, një situatë që, sipas tij, ngre shumë pikëpyetje për drejtimin e vendit.
“Shqipëria është një vend me burime, por po zbrazet në këto përmasa. Që nga 2016-2017 jemi krahasuar me vende në luftë si Siria apo Afganistani për azilin.”-tha ai.
Diskutimi u ndal edhe te mungesa e reagimit qytetar. Ai e lidhi këtë me krizën e besimit dhe me mënyrën si funksionon vota në vend. Sipas tij, në një sistem normal, një opozitë që nuk frymëzon largohet përmes votës, por kjo, në realitetin shqiptar, nuk po ndodh.
“Problemi i parë dhe i fundit është tek vota. Në një vend normal, opozita largohet nëse nuk frymëzon, por këtu kjo nuk ndodh.”-shtoi Kopliku.
Në analizën e tij, ai përmendi edhe ndryshimin e ndjeshmërisë publike ndaj korrupsionit. Krahasoi reagimin e fortë që ka pasur shoqëria vite më parë me situatën aktuale, ku skandale me shuma të mëdha parash nuk shkaktojnë të njëjtin reagim.
Sipas tij, kjo lidhet me një klimë mosbesimi dhe me idenë e përhapur se “të gjithë janë njësoj”, çka, në fund, dobëson reagimin qytetar dhe ul presionin ndaj politikës.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTË "DREJT" NË ORA NEWS:

