“Episodi tjetër pse jam në paraburgim”/ Meta: Po bëhen gërmime arkeologjike për të gjetur prova kundër meje

 Ish-presidenti i vendit, Ilir Meta ka reaguar sërish lidhur me hetimin që SPAK po bën ndaj tij, duke e cilësuar këtë reagim si “Episodin” e rradhës pse ndodhet ende në paraburgim. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Meta shprehet se SPAK po bën gërmime arkeologjike, për të gjetur prova kundër tij dhe lidhje të rreme me të.

Meta shkruan se ligji për minierat u paraqit në Kuvend nga Damian Gjiknuri, ndërsa shqyrtimin në komisionet parlamentare e drejtoi një tjetër "rilindas". Ai nënvizoi se ky ligj ka prekur të paktën 300 subjekte minerare në atë kohë, numri i të cilave sot thuhet se ka arritur në mbi 600.

Ish- presidenti theksoi se sipas akuzës së SPAK-ut, amendamentin e solli deputetja socialiste Eglantina Shkjau, ndërsa fjalimin kryesor e mbajti kryeministri Rama.

Postimi i Ilir Metës:

“Episodi” tjetër, pse unë jam në paraburgim 

Është superfantastike, ligjin për minierat, e solli në Kuvend, Z. Gjiknuri, ministri i Edi Ramës dhe po kështu shqyrtimin e tij në komisionet parlamentare e drejtoi një “rilindas” tjetër.

Siç thotë vetë SPAK-u në akuzë, amendamentin për ndryshim e solli deputetja e PS-së, E. Shkjau. 

Ndërsa fjalimin, plot me bekime, për ligjin e jashtëzakonshëm të minierave, që ndau dy epokat, e mbajti vetë Edi Rama.

Edhe më analfabeti në këtë vend, do i bënte pyetjen vetes: Po ç’lidhje ka me këtë ligj, Kryetari i Kuvendit që është 1 nga 140 deputetët?

A nuk e dinë “specialët” se ky ligj ka prekur në atë kohë të paktën 300 subjekte në fushën e minerave, të cilat sot, thuhet se janë mbi 600?

“Specialët” vazhdojnë me gërmime arkeologjike për të shpikur thashetheme, që nuk kanë asnjë lidhje me Ilir Metën, sepse për ligjet dhe vendimet që bën Edi Rama i bën me porosi, nuk kanë takat, jo t’i hetojnë por as t’i shikojnë.