“Duhet ndryshim nga themelet”/ Haxhimali për Territorialen: Reforma nuk dha rezultat, ka nevojë për 'shkundje' të fortë

I ftuar në studion e Ora News ishte Agron Haxhimali, i cili foli për gjendjen aktuale të reformës territoriale dhe nevojën për ndryshime të thella në pushtetin vendor.

Haxhimali u shpreh se reforma aktuale nuk ka arritur rezultatet e pritshme dhe se situata kërkon një ndërhyrje serioze, jo thjesht ndryshime sipërfaqësore.

“Reforma territoriale në këtë fazë nuk prodhoi pjesën më të madhe të rezultateve të parashikuara. Ka nevojë për një shkundje të fortë, për t’u ndërtuar nga themelet dhe jo për dekoracione apo modifikime të pjesshme.”-tha ai.

Sipas tij, problemi nuk lidhet vetëm me ndarjen territoriale, por me gjithë mënyrën se si funksionon pushteti vendor.

Ai vlerëson se duhet rishikuar struktura, përgjegjësitë dhe financimi i njësive vendore, si dhe mënyra e zgjedhjes së tyre.

“Duhet parë i gjithë sistemi i pushtetit vendor, nga organizimi administrativ te financat dhe mënyra si zgjidhen organet vendore. Nuk mjafton të bëhen ndryshime të vogla.”-shtoi Haxhimali.

Ai kërkon nga politika të shmangë interesat afatshkurtra dhe të fokusohet te reformat që u shërbejnë qytetarëve, duke shtuar se vetëm në këtë mënyrë rritet besimi ndaj institucioneve.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: