Rritja e çmimit të naftës / Xhixho: Qeveria po pasurohet nga kriza ndërsa kostot shkojnë në stratosferë
Në një periudhë të rritjes stratosferike të çmimeve, nga karburantet te produktet e shportës, propozohet një zgjidhje konkrete për të lehtësuar menjëherë barrën mbi qytetarët.
Deputetja Erisa Xhixho, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", u shpreh se Partia e Lirisë ka depozituar një projektligj që kërkon pezullimin e dy taksave specifike, një masë që sipas tyre do të ulte ndjeshëm dhe në mënyrë të menjëhershme çmimin e naftës në pikat e karburantit.
"Janë rritur në stratosferë duhet thënë. Unë e kam ndjekur shumë këtë çështje, si Partia e Lirisë prej një muaji depozituam menjëherë sapo filloi rritja e çmimit të naftës, projektligjin i cili këtë javë po diskutohet në komisionet parlamentare.
Ishim në komisionin e ligjeve, sot isha në komisionin e ekonomisë, me një zgjidhje që dhamë ne.
Çfarë zgjidhje dhamë ne? Në fakt ne dëgjuam ekspertët. Konfindustria dhe gjithë ekspertët kanë thënë që një nga mënyrat për të ulur çmimin e naftës është pezullimi i taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit.
Dy taksa të cilat do të ndikonin direkt në uljen e çmimit të naftës.
Taksa e qarkullimit është diku te 27 lekë, me TVSH shkon 32 lekë. Taksa e karbonit është 3 lekë dhe do të kishte një efekt të menjëhershëm te çmimi i, i naftës.
Pse kemi ndërhyrë te taksat? Sepse, kostoja e naftës, duhet të kuptojnë qytetarët, 60% e asaj, atij çmimi që paguajnë çdo ditë për të furnizuar makinat e tyre, është taksa.
Pra, në qoftë se e bëjmë më të thjeshtë, në 2000 lekë të vjetra nga 2000 lekë të vjetra për litër, 1200 lekë janë taksa.
Dhe ne këtë po themi, të ndërhyhet dhe qeveria i ka të gjitha instrumentat, të ndërhyhet për një ulje reale dhe jo atë që thotë qeveria.
Qeveria po pret, sot jemi pa asnjë masë për çështjen e naftës. Po pret që nafta të shkojë 2200 lekë, që të uli akcizën 20%, që praktikisht efekti është 8 lekë, tallës për qytetarët.
Unë në komisionin sot të ekonomisë i thashë, qëllimi është për të ulur çmimin e naftës.
Në qoftë se ka një iniciativë tjetër për heqjen e TVSH-së, për heqjen e akcizës, siç po bëjnë vende të tjera.
Vende të tjera kanë gjetur disa mekanizma, ose kanë vënë një tavan për naftën dhe kanë thënë ky do të jetë çmimi dhe pjesën tjetër do e rimbursoj unë si shtet, ose kanë hequr TVSH-në, ose kanë hequr akcizën në mënyrë që të ketë efekt të drejtpërdrejtë tek nafta.
Dhe pse e them këtë? E them sepse ka ndodhur një rritje e jashtëzakonshme e çmimeve.
Ty të ka shkuar speci 5,000 lekë. Bishtajat të ka shkuar 6,000 lekë. Ty të ka shkuar sallata 2,000 lekë, limoni 4,000 lekë për kile.
Mos flas për djathin që shkon edhe 15,000 lekë të vjetra.
Pra ka një rritje shumë të madhe të çmimeve. Ndërkohë për miellin, vajin, orizin e tjerë, të çmimeve të shportës, janë rritur me 50%.
Ti ke fermerët sot përditë në lajme që thonë e kemi të papërballueshme. Sepse dhe skema e bujqësisë që i është ofruar atyre i ka hequr pikërisht naftën falas që ata kishin si bonus.
Ja hoqi qeveria fermerëve, bujqve. Dhe e ke në një situatë dramatike bujqësinë, që jo vetëm nuk e financon me buxhet shteti, jo vetëm që e ke vjedhur edhe fondet e IPARD-it dhe fondet e Bashkimit Europian që shkonin për fermerët, por dhe në situatë krize ti nuk po merr asnjë masë për të lehtësuar ata fermerë, ndërkohë që është periudha ku ata prodhojnë, ku Made in Albania dhe këta fermerë po prodhojnë.
Dhe po mbyten nga importi. Dhe në vend që kjo qeveri si çdo qeveri tjetër, mori masa Italia, mori masa Greqia, mori masë rajoni e të gjithë me radhë, ti nuk ke asnjë masë për karburantet.
Ti i ke qytetarët shqiptarë që po shkojnë në Kosovë, po shkojnë në Maqedoni për të furnizuar makinat e tyre, për të kursyer. Duhet të sqarojmë dhe një gjë për qytetarët.
Pse ne themi pezullim takse qarkullimi, taksës së qarkullimit? Duhet të kuptojmë që vetëm nga kjo taksë buxheti i shtetit merr rreth 250 milionë euro, që duhet të shkojnë për mirëmbajtjen e rrugëve.
Nga ana tjetër qytetarët paguajnë dhe një herë në vit kolaudimin e makinës 70,000 lekë të vjetra.
Një herë në dy vjet. Pra paguajnë dy herë për mirëmbajtjen e rrugëve. Nga këto 250 milionë euro nga taksa e qarkullimit, e dini sa shkojnë për mirëmbajtjen e rrugëve? Vetëm 50 milionë euro.
Dhe taksën që e mbledhin nuk e çojnë në destinacionin për të cilën ti e mbledh. Ndaj ky 50 milionë euro që ti shkon çon për mirëmbajtjen e rrugëve, absolutisht mbulohet nga ajo pagesë një herë në dy vjet që ne bëjmë tek kolaudimi, sipas ekspertëve që ne kemi folur.
Ndaj, për në këtë situatë ku ti po pasurohesh, se duhet të sqarojmë dhe qytetarët, qeveria sot pasurohet. Pse? Sepse rriten çmimet, rritet TVSH-ja, merr më shumë para buxheti i shtetit. Rritet çmimi i naftës, marrin më shumë TVSH sepse për çdo rritje marrin 20%.
Marrin dhe 20% te ushqimet dhe praktikisht ti po pasurohesh dhe po mbush arkën e shtetit në kurriz të qytetarëve. Një qeveri e përgjegjshme duhet që këto para që ti po i merr në padrejtësi për shkak të krizës, t'jua kthesh qytetarëve. Ose duke ulur çmimin e naftës, ose me politika sociale për pensionistët, për shtresat vulnerabël e tjerë me radhë, të kontrollosh tregun sepse është bërë i paimagjinueshëm, është bërë luks", u shpreh Xhixho.

