NJË HISTORI HETIMI, ENDE PA DREJTËSI! Rikthimi në tendera i Besnik Halilit, dhe harresa e “Nikut” që lidhte në përgjime Veliajn me Ndragetën
Biznesmeni Besnik Halili, i cili zotëron monopolin e tregtimit të oksigjenit të lëngshëm dhe kompresuar, përmes kompanisë “G.T.S” në Shqipëri që administrohet nga vetë ai, është rikthyer pak ditë më parë në vëmendjen e medieve lidhur me vijimin e procedurave të tenderave në vend edhe pse nga përgjimet e anti-mafias italiane, rezultonte se kishte lidhje me grupin mafioz “Ndrangheta”, duke u përmendur si “Niku” në përgjimet italiane.
Hetimi nr.17 i regjistruar kryesisht nga SPAK në datën 25 janar 2021, brenda tre viteve ka kryer një seri verifikimesh, ku është provuar se zyrtarë të Ministrive të ndryshme në bashkëpunim me punonjës të kompanisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, kanë paracaktuar kriteret dhe format e procedurave tenderuese, duke shpallur fituese në të gjitha rastet kompaninë e oligarkut të oksigjenit Besnik Halili.
Hetimi i këtij rasti ka nisur pas shkrimeve në media lidhur me bisedat e transkriptuara nga Autoritet Italiane të Drejtësisë, nga të cilat rezulton se italianët e klanit mafioz “Ndragheta”, Antonio Gallo, Antonio Speziali dhe Claudio Larusa, flasin për një person shqiptar i njohur prej tyre me emrin “Nik”, i cili sipas bisedave, kishte lidhje në Bashkinë Tiranë dhe mund të siguronte leje ndërtimi të objekteve të reja që po ndërtoheshin në qendrën e Tiranës kundrejt ryshfetit të dhënë tek punonjësit e Bashkisë Tiranë, të drejtuar nga Erion Veliaj, i cili prej 10 shkurtit 2024 ndodhet në burg ku ndaj tij rëndojnë 13 akuza: 9 raste të korrupsionit pasiv, si dhe akuzat për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim, “fshehje pasurie” dhe “shpërdorim të detyrës”. Veliaj akuzohet gjithashtu se gjatë qëndrimit në qeli ka shkelur disa herë ligjin dhe se ka konsumuar elementët e veprës penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, më shumë se një herë.
Sipas SPAK nga bisedat e zhvilluara nga shtetasit Italianë rezulton se ka dyshime, se të ardhurat me të cilat janë krijuar dhe përdorin këto shoqëri për të realizuar veprimtarinë e tyre, burojnë kryesisht nga aktivitetet e kundërligjshme të kryera në kuadër të krimit të organizuar i cili vepron në Territorin e Shtetit Italian dhe në Republikën e Shqipërisë.
Nga verifikimet e bëra nga SPAK, ka rezultuar se personi i njohur me emrin “Nik” ishte Besnik Halili, i cili është themeluesi dhe administratori i shoqërisë “GTS-Gazra Teknike Shqiptare sh.p.k.”

Por ajo që nuk dihet ende nga hetimi 5-vjeçar i SPAK-ut është fakti që a ka apo jo një akuzë ndaj Erion Veliajt për dosjen e “Ndragheta”-s në Tiranë?
Dhe pas afro 3 muajsh nga arrestimi i Veliajt, në maj të vitit 2024, zyrat e Grupit ‘G.T.S’ që ndodhen në Vaqarr do i nënshtroheshin një vale kontrolli nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK, ku sekuestroi telefona, kompjuterë, dosje tenderësh e dokumente financiare.
Por ajo që mbetet shqetësuese është fakti se pavarësisht hetimeve nga SPAK, Besnik Halili vijon të fitojë ende tendera.
Në raportimin e fundit në media rezulton se gjatë muajit prill të këtij, kjo kompani e ka filluar me 5 tenderë të tjerë në vlerë totale 800 mijë Euro, “të dhënë pa garë” nga Ministria e Shëndetësisë, spitalet dhe Drejtoresha e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, Arlinda Pogaj.

Dhe pyetja është e thjeshtë: si mundet që në një kohë kur nuk ka asnjë njoftim mbi këto hetime të vijojë puna me tenderat normalisht?

Besnik Halili njihet në qarqet e politikës shqiptare edhe si i shoqi i Luneda Sufalit, ish-drejtoreshës së “famshme” të Lojërave të Fatit (AMLF-së) në periudhën e operacionit të “Fundit të marrëzisë” 2013-2015, e cila u bë e njohur për publikun për debatin e saj me Fatmir Xhafaj në Komisionin e Ligjeve. Ishte ai moment kur, pas një pyetjeje të deputetit socialist, Sufali iu përgjigj me një frazë që mbeti gjatë në kujtesën e publikut:
“Po kush jam unë, pastruesja?”
Një replikë që u bë simbol i mënyrës si funksionon shpesh administrata: me shumë vetëbesim dhe pak përgjegjësi.
Pas “eksperiencës” me Lojërat e Fatit, Sufali do të emërohej drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror, ku do të kishte dhe rol aktiv dhe në përpjekjet e qeverisë për të luftuar pandeminë Covid-19.
“Sot, vite më vonë, zonja Sufali është rikthyer në një rol tjetër po aq “delikat”. Pas eksperiencës me lojërat e fatit, ajo është ngarkuar nga kryeministri me një detyrë të re: kontrollin e licencimit të spitaleve private”, u raportua në media pak javë më parë.
Ndoshta për rastësi, por paralel me progresin në karrierë të Sufalit, kompania “GTS” ka forcuar pozitat e saj në tenderat publikë të oksigjenit mjekësor, aq sa sot ka arritur të jetë në fazë “monopoli”.
Me pak fjalë kur ka më shumë se 5 vite në hetim nga SPAK, nga njëra anë biznesmeni Halili fiton tenderat e shëndetësisë, nga ana tjetër bashkëshortja e tij kontrollon spitalet (private), ndërsa ende nuk ka një proces gjyqësor në GJKKO për dosjen e “infiltrimit” në “Ndragheta”-s në ekonominë shqiptare, ku flitet se pjesë e tij është pikërisht është Besnik Halili, i cili vijon të vjelë tendera publikë në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.
Dhe në fakt ajo që vlen më shumë është të dihet se kush do të jetë fati i kësaj historie hetimi, që ende pret drejtësi?!
/ Referencat:
- Kush është “Niku” që lidh në përgjime Veliajn me Ndragetën italiane
- Rikthehet “Niku” i ‘Ndranghetas, biznesmeni që hetohet nga SPAK fiton tenderat në dy spitale
- Dosja e SPAK/ GTS, italianët dhe serbët miliarda nga monopoli i oksigjenit

