Maskat grabisin me armë kosovarët në "Rrugën e Kombit", 1 në pranga, tjetri në kërkim

Regjistrohet grabitja e tretë në një hark të shkurtër kohor në "Rrugën e Kombit". Ngjarja dhe pse e raportuar nga strukturat e policisë në orët e mbrëmjes është shënuar orës 02:30 të mëngjesit të sotëm në aksin Reps-Rrëshen, ku persona të maskuar pasi kanë vendosur barrikadë në rrugë dhe nën kërcënimin e armëve kanë grabitur shtetasit kosovarë, Fehmi Ahmeti dhe Osman Çekiçi, duke ju marrë atyre para dhe sendet personale.Denoncimi i kosovarëve të cilët ranë pre e maksave ka vënë në lëvizje të menjëhershme strukturat policore, duke bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit kryesor të grabitjes, Ardit Maxhuni nga Fushë-Arrëzi i Pukës, 21 vjec, ndërsa është identifikuar edhe autori i dytë me iniciale Anton Nikolli 21 vjeç , po banor i Pukës, i cili është shpallur në kërkim. Ndërkaq gjatë kontrollit policia ka sekuestruar dhe një armë zjarri si dhe paratë dhe sendet e vjedhura gjatë grabitjes.Në operacionin për arrestimin e autorëve kanë marrë pjesë Forcat e Ndërhyrjes së shpejtë në Shkodër, forcat RENEA nga Tirana, ndërsa operacioni është drejtuar nga Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit Muhamed Rrumbullaku. Gjithashtu në këtë operacion për identifikimin e autorëve, është përdorur edhe një helikopter i policisë.Autorët e grabitjes së sotme dyshohet të kenë lidhje me dy ngjarjet e shënuara në Rrugën e Kombit, asaj në Qafë Çelë të Pukës, ku mbeti i plagosur edhe një fëmijë, si dhe grabitjes së dy shqiptarëve nga Ulqini në afërsi të Rëshenit.