Zgjedhjet, Alibeaj: Centralizimi i qeverisjes në një “grusht” njerëzish solli humbjen e PD
Ndërsa renditi arsyet se pse simpatizantët demokratë dezertuan PD dhe rendën drejt LSI, Alibeaj nënvizoi se kjo situatë është e përkohshme aq sa edhe e rikuperueshme nga PD, tashmë nën drejtimin e liderit të ri të zgjedhur me votë plebishqiptare Lulzim Basha.
“Është një lektorat që i përket së djahtës që shkoi në masën më të madhe tek LSI, për shkak të pakënaqësisë, familjarizimit për shkak të bashkëqeverisjes që PD pati me këtë parti, të një shprese që s’do krijonte dëme për PD në 23 qershor. Nuk u gabua me frymën e krijuar se LSI do rikthehej sërish në koalicion me PD, faji nuk është tek ky elektorat. U krijua vetë shpresa nisur nga qejfmbetja. Unë mendoj se s’duhet të ketë shkuarje tek LSI të këtij elektorati më tepër se tek krijimi i një psikoze qejfmbetje tek ta. Unë mendoj se kjo është e përkohshme. Diçka e rëndë ka ndodhur që u zhvendosën, por është e rikuperueshme”deklaroi deputeti demokrat.
E ndërsa ende mungon një analizë e thellë politike nga ana e PD rreth humbjes në 23 qershor, deputeti demokrat tha se një gjysëm analize u ezaurua me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri, e që në detaje më të hollësishme do të shqyrtohet në shtator.
“Një analizë në terma partiakë e detajuar është premtuar dhe do ndodhë në shtator. Ajo cfarë ndodhi ishte e detyruar për shkak edhe të dorëheqjes së kryetarit të PD për shkak të rezultatit. Analiza sigurisht është e domosdoshme me këtë lloj ndjesie të humbjes. Me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të PD një gjysmë analize ndodhi. Procesi i zgjedhjes së kryetarit nuk shpëtoi nga emotiviteti nga i cili ishte ngarkuar e gjitha baza apo anëtarësia e PD. U profilizuan edhe ofertat e kandidatëve me pjesën fajtore ose jo të rezultatit të 23 qershorit. Pashë me jo pak krenari qartësinë, kthjelltësinë e opinionit apo mendimit kritik të anëtarësisë së PD, e cila diti të bëjë zgjedhjen e duhur me shpresën e madhe që kjo shpresë do optimizojë të gjitha vullnetet politike” theksoi Alibeaj.
Duke mbetur te gara Basha-Olldashi për drejtimin e partisë së djathtë më të madhe në vend, Alibeaj u shpreh kundër zërave se Basha pasoi liderin historik të PD Sali Berisha, për shkak edhe të preferencës së këtij të fundit ndaj tij. Ndërkaq ai hodhi poshtë edhe pretendimet për deformim të procesit me listat apo influencën e aktorëve të ndryshëm të PD tek anëtarësia.
“Ka qenë një miks emocionesh, kjo për faktin se anëtarësia nuk ka qenë e ngacmuar. Kjo pak rëndësi ka për mendimin tim. Proceset përzgjedhëse duhet të ndodhin menjëherë sapo ndodhin ngjarjet elektorale. Mendimi është i qartë dhe i kthjellët, palët duhet të kuptojnë dhe ti binden në mënyrë të verbër këtij verdikti. Basha nuk u zgjodh si i përzgjedhuri i Sali Berishës. Nga 2005 të dy kandidatët kanë pasur të njëjtën mundësi për të shfaqur aftësitë e tyre. Unë besoj se gojët e liga janë ato që flasin për preference të ish-kryetarit në këtë rast. Po të analizojmë sjelljen e Sali Berishës, mund të them se ai i qëndroi në mënyrë korrekte atij qëndrimi që ja kishte borxh kësaj partie, qëndroi si garant, krijoi kushtet më të mira të një gare të barabartë, duke moslejuar aktorë të tjerë që për shkak të inercisë të influenconin dhe infektonin garën gjë që është edhe keqkuptuar si influencë. Historia e listave ishte ajo që u përgojua por nuk ka ndikuar në rezultat, pavarësisht problemeve të vogla që mund të kenë patur” tha më tej ai.