Edi Paloka: E majta me dy qeveri, ministrat e LSI-së do jenë të pavarur
Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, deklaroi në “Ora News”, përballe gazetarit Patrik Sadikaj se kabineti "Rama" nuk do të funksionojë si një qeveri e vetme por si dy grupe të pavarura, duke nënkuptuar përplasjet që do të ketë mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, e përfaqësuesve të tyre në ekzekutiv.Ndërkaq në analizën e tij për humbjen e Partisë Demokratike në zgjedhje, Paloka rendit si faktor kryesor, faktin se disa ministra duke mbajtur për 8 vite të njëjtin post, harruan bazën e partisë, duke krijuar kështu një shkëputje të thellë që sipas Palokës u reflektua jo vetëm në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare por edhe në ato për kreun e PD-së.Paloka ka premtuar një opozitë të fortë ndaj mazhorancës së re të së majtës, që sipas tij nuk nënkupton bllokimin, ashtu siç bëri Partia Socialiste. Deputeti i PD-së theksoi se opozita do të ndihmohet në këtë mision edhe nga vetë Rama, i cili që tani ka shkelur premtimet që u ka bërë qytetarëve në fushatë.