Dëbimi i romëve, Totozani: Jo vetëgjyqësi, çështjen e zgjidh vetëm gjykata

Institucionet shtetërore duhet të marrin urgjentisht në dorë fatin 100 familjeve rome, të cilët gjenden nën kërcënimin e dëbimit nga barakat e tyre. Kjo ka qenë thirrja e kreut të institucionit të Avokatit të Popullit Igli Totozanit pas takimit me shoqata dhe përfaqësues të komunitetit rom lidhur me situatën e krijuar buzë Lanës, pranë pallatit me shigjeta. Ndërkaq Totozani theksoi se kjo cështje nuk mund të zgjidhet me vetëgjyqësi, duke nënvizuar se rasti duhet shqyrtuar sipas legjislacionit në fuqi, e cila ia atribuon të drejtën e vendimarrjes vetëm gjykatës, vendimi i së cilës më pas zbatohet nga zyyrat e përmbarimit.“Avokati i Popullit prej disa ditësh ka pritur qytetarë të këtij komuniteti që vinë të alarmuar për shkak se kërcënohen për dëbim nga ajo zonë.Dikush mendon se do t'ua prishi shtëpinë sepse mendon se e ka pronë të tij. Duhet parë nëse kemi të bëjmë me një pronar i cili ka dokumentacion të vërtetë, serioz, zyrtar, ligjor mbi pronën apo jo. Avokati i Popullit ka kërkuar që cështja të trajtohet sipas legjislacionit shqiptar në fuqi. Kjo nuk zgjidhet me vetëgjyqësi, kërcënime apo dhunë verbale por vetëm në rrugë gjyqësore. Vetëm gjykata mund të zgjidhë cështjen dhe vetëm përmbarimi mund të bëjë atë që po ndodh sot në sytë e të gjithë opinionit , prishja e barakave dhe dëbimi i romëve. Situata duhet të ndërpritet, e vetmja zgjidhje mbetet gjykata dhe vendimet përmbarimore. Askush nuk ka të drejtë të vendosë vetë drejtësinë. Vetëm gjykata mund të qartësojë nëse ka pronësi dikush, nëse ka leje për të ndërtuar dhe vetëm gjykata ka të drejtë të vendosë dhe përbarimi të zbatojë vendimin e gjykatës.U bëjmë thirrje organeve shtetërore, policisë, Bashkisë që të mbajnë qëndrimet e tyre konform ligjit lidhur me situatën e krijuar” tha ai.Totozani tha më tej në deklaratën dhënë për median se është në kontakt të vazhdueshëm me drejtorin e përgjithshëm të policisë Hysni Burgaj lidhur me denoncimet e bëra nga komuniteti rom për ushtrim të dhunës verbale nga ana e uniformave blu të komisariatit numër 2 në kryeqytet. Sikundër shtoi se po mban kontakte dhe me kreun e Bshkisë Lulzim Basha rreth planit të emergjencës që ka ky institucion për strehimin e këtij komuniteti në rast dëbimi.“Kam kontaktuar me policinë, me drejtorin Burgaj.Ne duam të dimë se ku jemi me hetimet lidhur me veprat penale të denoncuar nga qytetarët romë për dhunë verbale dhe kërcënime nga ana e punonjësve të policisë së komisariatit numër 2 në kryeqytet. Së dyti ku do shkojnë këta qytetarë, kjo është një dramë më vete, në këtë mënyrë kam kërkuar nga kryebashkiaku Basha të informohemi lidhur me planet që ka Bashkia për zgjidhjen e këtyre situatave emergjente” deklaroi Avokati i Popullit.“Në ambient ndërkombëtar, Shqipëria do të kishte një problem të madh në qoftë se do të ripërsëritej edhe njëherë ngjarja si ajo e stacionit të trenit"-tha në përfundim Totozani, ndërsa paralajmëroi se institucioni që ai drejton do të mbajë të informuar institucionet ndërkombëtare lidhur me ecurinë e kësaj situate.“Ne s’jemi polici por kemi kompetenca të monitorojmë situatën, ne do vazhdojmë të nxisim institucionet shtetërore dhe do të informojmë të gjitha institucionet ndërkombnëtare që merren me trajtimin e kësaj cështje. Apeli i sotëm është që urgjentisht të gjendet zgjidhje për këtë situatë emergjence”tha ai.Në shkurt te vitit të kaluar dhjetra romë të tjerë të dëbuar nga barakat e vendosura pranë stacionit të trenit, ngritën çadrat për disa ditë në zyrat e Avokatit të Popullit.