Topalli: Do sekuestrohen mallra dhe objekte të vendosura në hapësira publike

Policia Bashkiake ka vijuar punën për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet. Aksioni i sotëm është përqëndruar sërish në zonën e Kombinatit, ku subjekte të ndryshme kanë zënë hapësira publike për arsye tregtare. Drejtori i Policisë Bashkiake Vullnet Topalli ka theksuar se nëse subjektet nuk marrin masa të menjëhershme atëherë do të proçedohet me sekuestrimin e materialeve, tavolinave, karrigeve, këndeve të lojërave etj."Jemi sot në zonën e Kombinatit, në njësinë bashkiake numër 6, për të vazhduar pastrimin e hapësirave publike dhe të  gjelbra të zaptuar nga subjekte të ndryshme me karrige dhe tavolina por edhe me kënde lojërash në mënyrë të paligjshme. Ne, këtë punë e kemi vazhduar prej ditësh  dhe do të vazhdojmë sërish edhe në zona të tjera të Tiranës ndaj gjithë subjekteve që kanë zaptuar këto hapësira publike dhe këto zona të gjelbra. Është marrë masa e vendosjes së gjobave dhe po ashtu për ato subjekte që e kanë të përsëritur pavarësisht nga kërkesa e herë pas hershme e Policisë Bashkiake janë  marrë dhe po ndërmerren  masa për konfiskimin e  këtyre pajisjeve dhe materialeve që  kanë zaptuar këto hapësira publike" - u shpreh drejtori i Policisë Bashkiake.Topalli ka bërë të ditur se aksionet e Policisë Bashkiake po vijojnë në gjithë Tiranën me vendosje gjobash dhe konfiskime."Puna e Policisë Bashkiake për pastrimin e hapësirave të gjelbra, për pastrimin e trotuareve të zënë nga subjekte të ndryshme apo individë të ndryshëm duke tregtuar ka vazhduar dhe do të vazhdojë. Po kështu do të vazhdojë edhe në zonën e ish-bllokut, edhe në zona të tjera të Tiranës. Aktualisht që ne flasim, grupe të tjera të Policisë Bashkiake vazhdojnë të pastrojnë dhe të marrin masa ndëshkimore, administrative, ndoshta edhe të konfiskimit të këtyre pajisjeve në zona të tjera apo në njësitë e tjera bashkiake" - u shpreh Topalli.Topalli u ka bërë të ditur se pas paralajmërimesh të herë pas hershme do të nis dhe sekuestrimi i mallrave të shitësve ambulantë që tregtojnë  në hapësira publike."Për subjektet që e kanë të përsëritur tregtimin në ambiente publike do merren  masa  të menjëhershme të konfiskimit. Ndaj dhe njëherë u bëj thirrje të mos tregtojnë në vende që nuk janë të lejuara" - theksoi Topalli.